Paniku blu: “Janë të gatshëm për të shkuar drejt të majtës dhe deputetë të futur me turli arsyesh në listën e PD-së”, por nuk dihet se për cilin a cilët ligjvënës durrsakë aludohet

DURRËS, 1 nëntor 2013 – Mirë PD-ja Korçë, por paria blu e Durrësit ç’pati me sekretarin e përgjithshëm të Frymës së Re Demokratike, ish-ministër, zëvendëskryeministër, deputet i Durrësit, Gazmend Oketa? Me sa duket, në ethet për kryetarllëk të demokratëve bregdetarë, financuesit e një portali afër Olldashit dhe që ia bëjnë me sy dhe ndonjëherë Bashës, detyrohen të përdorin fjalë të urta nga Jugu. ““Për inat të sime vjehrre, vajta e fjeta me mullixhiun”, kjo shprehje e vjetër e popullit, sot duket më aktuale se kurrë, jo vetëm se politika dhe ata që e bëjnë atë kanë shkuar në ekstremet e banalitetit dhe imoralitetit, por dhe për faktin se ajo çka prodhon, pra produkti i saj, janë ca poste, në të shumtën e rasteve për të vjelë para dhe për t’i ricikluar ato (njëlloj si paratë e pista) në tregun politik. Konferenca e përbashkët e zv/kryeministrit Peleshi dhe sekretarit të përgjithshëm të FRD-së, Oketa, thjesht konfirmoi atë që flitej që nga 21 janari i 2011, çka ishte folur e përfolur në media dhe në disa akuza (që për kohën kur u thane, dukeshin të rënda) që midis Bamir Topit dhe Edi Ramës, ka një marrëveshje underground politike”, thotë PD-ja Durrës. Kjo e fundit është në panik teksa thotë se “janë të gatshëm për të shkuar drejt të majtës… edhe deputetë të futur me turli arsyesh në listën e PD-së”. Nuk dihet se për cilin a cilët ligjvënës durrsakë aludohet. Ende nuk është bërë analiza e disfatave të 2011 dhe 2013, kur demokratët bregdetarë “u futën në ujë”. Me këtë mënyrë të bëri politikë, me mendësi provinciale të vjetruar tashmë, që nuk kalon as Urën e Dajlanit (“bathë-bathë-po-nji-kokërr”), PD-ja Durrës rrezikon që të dalë forcë e tretë a e katërt në qytet, thotë i dëshpëruar një demokrat i “Sefer Efendiut”.  

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/