TIRANË, 3 korrik 2013 – Teksa sot rreth orës 10:230 i është drejtuar selisë blu për të dorëzuar kandidaturën e tij për këtë post pas dorëheqjes së kryeministrit Berisha, Biberaj bëri me dije se administrata refuzoi kërkesën e tij, për shkak të çështjes së anëtarësisë. 

Biberaj deklaroi në një prononcim për mediat se FRD  tashmë është histori e mbyllur dhe nuk e ka tërhequr kurrë anëtarësinë nga PD. Biberaj theksoi se dëshiron të japë kontributin e tij në kushtet e vështira në të cilat ndodhet sot PD-ja dhe demokratët.

“Kam dëshirën, vullnetin eksperiencën dhe mbështetjen e demokratëve për të qenë kandidat potencial. Është interpretim i problemit të statusit lidhur me anëtarësinë. Ky është një vendim që i takon kryesisë. Administrata nuk me pranoi . Jam larguar nga FRD dhe nuk kam tërhequr asnjëherë anëtarësimin në PD. FRD histori e mbyllur jam rikthyer për të dhenë kontributin tim”, u shpreh Biberaj. 

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, Biberaj sqaroi se vendimi i administratës është një cështje politike për të mos lejuar kandimin e tij, teksa tha se ai nuk e ka dëmtuar asnjëherë PD dhe nuk ka bashkëpunuar me PD. Kritikat, sipas Biberaj do të parandalonin humbjen e demokratëve më 23 qershor. 

“Mua nuk më ka përfunduar anëtarësia, kjo është një cështje politike për të më penguar, unë dëshiroj të futem ne gare, por vendimi i takon kryesisë. Sot duhet te jemi të bashkuar se kundërshtarit im nuk është në PD, por majta. Unë nuk e kam dëmtuar PD dhe nuk kam bashkëpunuar me PS, unë nuk e kam sulmuar PD, por e kam kritikuar. Rezultati i 23 qershorit tregoi se po të ishin marrë kritikat e mija situata do ishte ndryshe”, theksoi Biberaj teksa shtoi se për të ka rëndësi gara e lirë dhe e ndershme dhe jo kandidati. 

Ndërkohë, dje Sokol Olldashi bëri publike lajmin për kandidimin e tij në krye të PD. Olldashi theksoi se do të përfaqësojë denjësisht vlerat e militantëve demokratë në këtë garë për kreun e ri të PD. 

PD pret te zgjedhe kryetarin e ri pas dorëheqjes nga ky post të Sali Berishës, si pasojë e humbjeve në zgjedhjet e 23 qershorit. Lideri Sali Berisha paralajmëroi në mbledhjen e fundit të kryesisë së PD-së se, pasardhësi i tij do të zgjidhet në fillim të muajit gusht, ndërsa bëri të qartë se në garë mund të marrë pjesë çdo anëtarë, zyrtar dhe drejtues i PD-së përmes votimit të anëtarësisë dhe jo Kuvendit, siç është me aktualisht me statusin e Partisë Demokratike.

Berisha: Të enjten vlerësojmë kandidaturat, jo ndikim nga postet 

Kryetari i dorëhequr i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka dhënë disa këshilla lidhur me garën për zëvëndësimin e tij. Në rrjetin social Facebook, PD ka postuar një mesazh të Berishës ku deklaron se ditën e enjte kryesia e PD do vlerësojë kandidaturat e paraqitura. Po kështu Berisha thekson se cdo anëtar i PD është i lirë të hyjë si kandidat dhe të garojë për postin e kreut të PD, edhe pa mbështetjen e kryesisë. 

“Mesazh per te gjthe drejtuesit e Partise Demokratike, nga kryetare seksioni deri ne anetare te kryesise se PD dhe per te gjithe anetaret e PD qe punojne ose mbajne funksione drejtuese ne te gjitha nivelet e qeverisjes sone qendrore ose vendore: Gara per kryetarin e PD nisi sot me shpalljen e kandidatures se pare. Ajo eshte e hapur per çdo anetar dhe anetare te PD qe deshiron te konkurroje per lider te Partise Demokratike. Diten e enjte, kryesia e PD do te mblidhet per vleresimin dhe shprehjen e mbeshtetjes se saj per kandidatin apo kandidaturat qe mendon se meritojne te mbeshteten prej saj zyrtarisht. Kjo nuk do te thote se jashte mbeshtetjes se kryesise se PD anetar apo anetare te PD mund te pengohen dhe nuk mund te konkurrojne per kryetar te Partise Demokratike. Dallimi i vetem eshte se ata nuk do jene kandidatura zyrtare te kryesise se PD”.