Deputetët e Partisë Demokratike, Luçiano Boçi dhe Arbiola Halimi, kanë parë sot nga afër kushtet e Spitalit të Elbasanit, ku edhe dëgjuan shqetësimet e pacientëve e familjarëve. Sipas një njoftimi të lëshuar nga Partia Demokratike, nga vëzhgimi i deputetëve dolën mjaft problematika, ku më i rëndi ishte heqja nga puna, pa asnjë motiv, i infermierëve dhe sanitarëve nga drejtoresha e Spitalit të Elbasanit.
“Punoj në repartin e kirurgjisë me përkushtim ndaj punës, profesioniste me 40 vjet eksperiencë dhe të hidhem në rrugë në moshën 58-vjeçare, kjo është e padrejtë, vendimi i drejtoreshës është i padrejtë,” – u thotë një infermiere deputetëve.
Ndërkohë, deputeti Boçi ka theksuar edhe se “vumë re që ambientet janë të degraduara, gjë e cila evidentohet edhe nga pacientët, te cilët janë të kënaqur nga përkushtimi i stafit.” “Kushtet janë skandaloze, – ka vijuar më tej deputeti demokrat. – Mediat u penguan të hyjnë, por ne bëmë disa foto të cilat do t‘i publikojmë. Problemi kryesor mbetet shkarkimi dhe largimi nga puna i stafit ndihmës, sanitare dhe infermierë. Janë larguar infermierë të cilët kanë një përvojë të gjatë 40-45 vjeçare, ndërkohë në profesione të tjera si specialist i oksigjenit dhe sanitare kanë vite të tëra që punojnë dhe sot largohen në mënyrë të paargumentuar dhe të pajustifikuar nga puna thjesht me një urdhër të drejtoreshës të marrë nga ministria. Kjo është një tentativë për të mbushur gropën e madhe që Beqja e ka shkaktuar me konçensionet e tij, ka gjetur një mënyrë alternative pasi nuk mjaftojnë vetëm taksat e shqiptarëve por u dashkan edhe pagat e sanitarëve për të përballuar konçensionet qindra milionë euroshe që Beqaj vazhdon t’i japë me shumë dashamirësi për klientët, për interesa personale dhe politike. Në vend që këto para të shndërrohen në investime për spitalet, në rroga për infermierët, në shërbime më të mira, shkojnë atje ku do Beqaj dhe ku do Rama. Kjo është një gjendje skandaloze, dramatike e cila duhet të ndryshojë.”





