Enno Bozdo, ish-nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, deklaroi se kryebashkiaku Erion Veliaj "vazhdon të mburret me punët e të tjerëve." "Është aq i pacipë në genjeshtrat e tij sa një projekt që është drejt fundit e shet si punë të tij, – tha Bozdo. – Këtë bëri sot me varrezat e Tufinës, kur i vetmi kontribut i tij ishte bllokimi i shpronësimit dhe buxhetit për këtë projekt për shtatë muaj, derisa u zhbllokua me vendim gjykate."
"Ftoj sot të gjithë mediat, ato që ende besojnë tek misioni i tyre i informimit të vërtetë të qytetarëve dhe s’janë peng i Veliajt, t’i referohen kronikave të shtatorit 2014, kur kanë pasqyruar nisjen e punimeve për realizimin e projektit të rehabilitimit dhe ndërtimit të varrezave murale në Sharrë dhe Tufinë, – vijoi më tej Bozdo. – Projekti për sistemimin e varrezave të Tufinës dhe Sharrës ishte një investim prej 3 milionë dollarësh i Bashkisë së Tiranës drejtuar nga Lulzim Basha."