Partia Demokratike akuzon ministren Balluku se i ka shkaktuar dëm ekonomik buxhetit të shtetit në lidhje me projektin energjitik në digën e Zadejës. Sipas kreut të grupit parlamentar të PD Gazmend Bardhi, kostoja reale e këtij projekti është “fryrë” me 3 herë më shumë. Kreu i grupit parlamentar të PD Bardhi tha përmes një deklarate për shtyp se me firmën e ministres Belinda Balluku i janë shkaktuar 5 milion euro dëm buxhetit të shtetit, në bashkëpunim me drejtorin e KESH Ergys Verdho.

Në xhepat e kujt kanë shkuar 5 milionë euro plus?”, ishte pyetja që shtroi Bardhi, duke e cilësuar këtë një aferë galopante për të cilën ka prova. Sipas demokratit, për të njëjtin projekt ndërtimi, privati ka vlerë 3 herë më të ulët.

“Kjo nuk është akuzë politike, nuk është sulm i një kundërshtari politik, është realiteti se si abuzohet me paratë publike, rast flagrant se si qeveria e Edi Ramës iu vjedh sy më sy, një projekt në dukje i parëndësishëm, por që tregon se si Balluku përdor nevojën jetike të vendit për energji me një skemë kriminale që trefishon vlerën e projektit. Mban nga fillimi në fund firmën e Ballukut dhe vartësve të saj, duhet të hetohet pa humbur kohë nga SPAK dhe duhet çuar para drejtësisë. Një projekt po ndërtohet nga shteti, konkretisht nga KESH 8 mln euro, ndërkohë që kur ndërtohet nga privati kushton 3 mln Euro. Kjo ka ndodhur me projektin e ndërtimit të impiantit fotovolatik në digën e Zadejës, duke i shkaktuar dëm buxhetit të shtetit prej të paktën 5 milion euro.