Partia Demokratike ka denoncuar sërish përfitimet e dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e Ministres së Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj. PD thekson në deklaratë, se prej vitit 2021, paralelisht me ngritjen e saj në detyrën e ministrit, është rritur në mënyrë të dyshimtë edhe numri i bizneseve të familjarëve të saj, nga 2 në 7 subjekte të deklaruara dhe askush nuk e beson se kjo është rastësi, por një model i qartë përfitimi nga pushteti.
Sot PD ka denoncuar projektin ‘Delina n’Fest’, i cili në dokumente figuron si ‘Vjosa n’Fest’ dhe ky projekt, i zhvilluar në katër edicione dyditore, ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit, para të qytetarëve shqiptarë.
Sipas deklaratë së PD-së, projekti është zbatuar nga shoqata ‘Tirana Ekspres’, një subjekt ku vetë Delina Ibrahimaj ka qenë e punësuar dhe ku bashkëshorti i saj gjatë kohës së implementimit të këtij projekti, ka përfituar të ardhura si drejtues.
Ndërsa, sot, si Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Ibrahimaj vijon pa asnjë ndroje të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt i cili gjendet i publikuar ndër të tjerë projekte të rishikuar. PD e mbyll deklaratën duke theksuar se në Shqipëri, ministrat vazhdojnë të pasurohen në mënyrë të pacipë, ndërsa drejtësia hesht dhe mbyll sytë për vjedhjen e parave të shqiptarëve.
Deklarata e PD:
Nuk është hera e parë që Partia Demokratike denoncon aferat dhe përfitimet e dyshimta të bizneseve të lidhura me familjen e ministres Delina Ibrahimaj. Prej vitit 2021, paralelisht me ngritjen e saj në detyrën e ministrit, është rritur në mënyrë të dyshimtë edhe numri i bizneseve të familjarëve të saj — nga 2 në 7 subjekte të deklaruara dhe askush nuk e beson se kjo është rastësi, por një model i qartë përfitimi nga pushteti.
Partia Demokratike ka denoncuar më herët bizneset dhe hotelin në Qeparo, regjistruar në emër të vjehrrit të saj, dhe në administrim të bashkëshortit. Sot po nxjerrim në dritë një tjetër rast flagrant: projektin ‘Delina n’Fest’, i cili në dokumente figuron si ‘Vjosa n’Fest’.
Ky projekt, i zhvilluar në katër edicione dyditore, ka përfituar rreth 200 mijë euro nga fondet publike të Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Turizmit — para të qytetarëve shqiptarë. Sepse projekti është zbatuar nga shoqata ‘Tirana Ekspres’, një subjekt ku vetë Delina Ibrahimaj ka qenë e punësuar dhe ku bashkëshorti i saj gjatë kohës së implementimit të këtij projekti, ka përfituar të ardhura si drejtues.
Sot, si Ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj vijon pa asnjë ndroje të mbështesë të njëjtin projekt dhe subjekt i cili gjendet i publikuar ndër të tjerë projekte të rishikuar Në një vend normal, një skandal i tillë do të kishte sjellë dorëheqje të menjëhershme dhe hetim penal.
Por në Shqipëri, ministrat vazhdojnë të pasurohen në mënyrë të pacipë, ndërsa drejtësia hesht dhe mbyll sytë për vjedhjen e parave të shqiptarëve. Përballë kësaj arrogance dhe pandëshkueshmërie, qytetarët nuk mund të heshtin. Prandaj, i bëjmë thirrje çdo shqiptari që e ndjen veten të vjedhur e jo vetëm…të bashkohet në protestë ditën e premte, më 17 prill, për të kundërshtuar korrupsionin, abuzimin dhe varfërimin e vendit.





