Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi, ka reaguar në lidhje me lajmin se Partia Demokratike ka dërguar komisioner në KZAZ. Në reagimin e numrit dy të PD, bëhet me dije se ky vendim i partive opozitare është bërë pasi kanë informacione se PS po manipulon që tani procesin zgjedhor.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë informacion zyrtar se në KZAZ janë duke u kryer manipulime të rënda të procesit zgjedhor, që nis me regjistrim të paligjshëm të kandidatëve për kryetar bashkie. Për këtë arsye, për të dokumentuar dhe çmontuar këtë paligjshmëri, PD dhe LSI, mund të shfrytëzojnë ligjin, për të dërguar anëtarët që i takojnë në KZAZ për të provuar ligjërisht që Edi Rama nuk garanton zgjedhje legjitime, edhe kur nuk ka kundërshtarë përballë. Në ditët në vijim do të faktojmë të gjitha paligjshmëritë e kryera nga përfaqësuesit e Edi Ramës gjatë procesit”, shprehet Bardhi.

Partia Demokratike dhe LSI kanë refuzuar që të hyjnë në zgjedhje, pasi ato prej disa muajsh kanë nisur protestat dhe kërkojnë largimin e Edi Ramës. Opozita e bashkuar shprehet se zgjedhje me Edi Ramën nuk do të ketë, pasi ata nuk do të lejojnë këtë gjë. Po ashtu Basha u shpreh se Rama është një përdhunues serial zgjedhjesh, dhe shtoi se PD ka prova që dhe zgjedhjet e 2019 do të jetë të manipuluara.