Pasditja e së shtunës solli në Durrës liderin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në një protestë të paralajmëruar qytetare kundër administrimit të qytetit bregdetar. U paralajmërua protestë qytetare, por realisht ishte protestë partiake. Basha u prit nga automjete me flamuj të PD-së, që e shoqëruan gjatë hyrjes në Durrës, ndryshe nga Rama që u prit nga disa qytetarë që “protestuan” për ardhjen e tij pasditen e së premtes, në kuadër të turit “Bashkia që duam”. Dy pritje të ndryshme, por në thelb takimet ishin të njëjta. Liderët, ai i maxhorancës dhe ai i opozitës, mbajnë fjalime para mbështetësve të tyre, punonjës administrate apo simpatizantë dhe militantë të PD-së, ndërkohë që shumica dërrmuese e qytetarëve të Durrësit i bojkotoi. Bojkoti i mitingjeve të Ramës nga ana e qytetarëve nuk i prish ndonjë punë të madhe kryeministrit, sepse në fund të fundit, votat e PS-së në Durrës, Shijak e Krujë janë meritë e Vangjush Dakos. Era Dako në PS-në e Durrësit nxorri jashtë loje degën vendore të PD-së duke thelluar çdo dy vite fushatash zgjedhore diferencën e votave. Prandaj bojkoti i qytetarëve durrsakë në protestën qytetare të thirrur nga PD është një minus për partinë kryesore opozitare.
Në një shkrim të dy muajve më parë, kur PD ishte ende në Kuvend dhe pritej të përfshihej në zgjedhjet vendore kam nënvizuar faktin se lidershipi lokal mbetet ende larg problematikave të qytetarëve; edhe nëse i njeh e ka të vështirë t’i artikulojë ato qartë, t’i denoncojë me forcë dhe të shfaqet bindës para qytetarëve. Vazhdoj t’i mbetem këtij qëndrimi edhe sot kur PD ka intensifikuar takimet me elektoratin e saj dhe po mobilizon rradhët për zhvillimet e ardhshme politike.
Dega lokale e PD-së nuk po arrin të shkojë më larg sesa rrethi i ngushtë i militantëve, pasi edhe simpatizantët (sado të jenë në numër) janë mjaft skeptikë. PD-ja në nivel qendror dhe lokal ende nuk po ngjit, nuk po ngjall frymë besimi, nuk po arrin të kthehet në alternativë për ndryshimin e sistemit, për garantimin e një demokracie funksionale, e një shteti ligjor e jo një shteti të fortësh, ku çdo gjë është përqendruar vetëm në disa duar.
Si pjesëmarrëse në protestën e 16 shkurtit, ku shkova thjesht si qytetare për të demostruar pakënaqësinë time ndaj klasës politike që na udhëheq, kam shumë rezerva për PD-në. U largova e zhgënjyer nga protesta e 16 shkurtit, pasi sulmin ndaj kryeministrisë nuk e shihja si mënyrë për të ngjallur shpresën tek njerëzit. Gjithsesi ai veprim solli vëmendjen e medieve ndërkombëtare mbi zhvillimet politike në Shqipëri dhe djegien e mandateve të opozitës, kështu që në fund të fundit ajo formë e dhunshme proteste ia vlejti. Por kur shoh opozitën që proteston çdo herë kur ka seancë plenare teksa shtyhet me policët, mban disa fjalime, kthehet në seli, këndon himnin kombëtar dhe më pas i shpërndan në shtëpi mbështetësit e saj në gojë më mbetet një shije e hidhur. Teksa shoh PD-në e Durrësit që në protestën e 16 marsit çoi në Tiranë dy furgonë, ndryshe nga shumë autobuzë që ishin në 16 shkurt, sërish mbetem keq. Kur risjell edhe njëherë në vëmendje sesa njerëz dolën në Durrës të shtunën, kur qyteti bregdetar qeveriset prej gati 20 vitesh nga PS, nga të cilat 12 i takojnë Dakos, nuk mund ta fsheh zhgënjimin që provoj.
Si kreu i degës, Ferdinand Xhaferaj, ashtu edhe lideri Basha nënvizuan gjatë fjalës së tyre se Durrësi është nën pushtetin e krimit duke iu referuar dosjes 339, ku shfaqet Dako në përgjime me anëtarë të grupit Avdylaj. Gjithsesi akuza për të cilat prokuroria ende se ka thënë fjalën e saj. Por ta godasësh Dakon vetëm për dosjen 339, kur drejton Durrësin prej 12 vitesh, të duket sikur kryebashkiaku ka qeverisur mirë dhe ka bërë punë të mira në qytet.
“Durrësi është tani një qytet i rrënuar, i shkatërruar, është një Durrës i shpërfytyruar. Për shekuj e vite është folur për Torrën Veneciane, por Rama e Dako po bëjnë që të flitet për Velierën. Për shekuj e vite është folur për rrugët me kalldrëm të Durrësit, por tani po flitet për rrugët e shtruara me beton”,- tha Xhaferaj gjatë fjalës së tij. Vetëm ky konstatim më duket shumë pak, për më tepër që nuk denoncohet ditë për ditë, por në mënyrë shumë sporadike. Deklaratat për shtyp nga selia lokale s’mbahet mend prej sa kohësh nuk bëhen më. Statuset në Facebook rrallë përbëjnë lajme të mirëfillta, më shumë pasqyrohen në portalet dhe mediet lokale pasi janë të vetmet reagime nga PD-ja e Durrësit.
Në fillim të këtij muaji, bashkia rriti çmimin e biletës së transportit publik, por këshilltarët e PD-së bojkotuan mbledhjen. U kujtuan të reagojnë pas marrjes së vendimit. Askujt nuk i shkoi në mendje ta denonconte më parë. Iu bindën një urdhri të ardhur nga lart për të bojkotuar mbledhjen, pa shfrytëzuar mundësinë që të paktën të ngrinin zërin nga salla e këshillit bashkiak, për të mbrojtur interesat e shtresave më të varfëra të popullsisë. U justifikuan me faktin se bashkia i kishte bërë votat dhe do ta miratonte propozimin. Një justifikim shumë i vakët, ndërkohë që kanë marrë votat për të përfaqësuar interesat e popullit në parlamentin e qytetit. Denoncimi para se vendimi të bëhej realitet, do t’u jepte mundësi që kur të shkojnë të kërkojnë mbështetjen e përdoruesve të linjave urbane t’u thonë me plot gojën se e ngritëm zërin, por nuk na dëgjuan. Reagimi i tyre përmes disa statuseve në rrjete sociale nuk erdhi direkt pas mbledhjes, por pak ditë më pas, kur media bëri të ditur rritjen e çmimit të biletës. Do kish qenë më mirë të mos kishin reaguar fare!
PD-ja ka ende vështirësi në mbledhjen pranë vetes të njerëzve të saj. Ajo hapje e madhe e PD-së në 2004-2005 duket mjaft e largët, jo vetëm në kohë por edhe në mendësi. Me zullumet e kësaj qeverie, PD-ja deri më tani duhet të kishte akumuluar pranë vetes zemëratën popullore, të gjithë elektoratin e zhgënjyer deri më tani nga qeverisja e Ramës, indinjatën e studentëve që u derdhën në shesh në dhjetor, mllefin e artistëve për shembjen e teatrit, pakënaqësinë e shoqërisë civile dhe intelektualëve.
Nëse partia më e madhe opozitare po pret që zullumi i Ramës të trashet aq shumë sa populli ta largojë vetë, në fund do dalë e humbur. Në 13 prill është thirrur një tjetër protestë popullore, PD-ja mund ta mbushë sërish sheshin, si dy herët e mëparshme por më shumë se ata qytetarë që do dalin në shesh, lidershipi i selisë blu duhet të shqetësohet tek mesazhi që do përcjellë tek ata që e ndjekin përmes ekranit. Ata që do dalin në shesh mund të dalin edhe disa herë të tjera. Por nëse atyre nuk u bashkohen edhe ata që deri tani kanë ndjekur zhvillimet prej së largu dhe që janë pjesa dërrmuese e popullsisë, çdo veprim i ndërmarrë nga PD nuk do japë rezultatin e artikuluar prej disa muajsh: Largimin e Ramës nga pushteti.
Dhe kryeministri do të vazhdojë të tallet gjatë shfaqjeve të tij publike me furtunën në gotë të Lulit e Monës.
M.B.