Anëtarët e Këshillit Bashkiak të Partisë Demokratike dhe Partisë së Lirisë braktisën në mënyrë demostrative mbledhjen e radhës të KB-së, ku parashikohej të miratoheshin disa pika të rendit të ditës, që lidheshin me rritjen e pagave të punonjëve të bashkisë.

Kryetari i grupit, Dritan Burgija, deklaroi se është e turpshme që kryetares së bashkisë t’i rritet paga në nivelin 57%, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e punonjësve përfitojnë një rritje minimale. Njëkohësisht ai u bëri apel kolegëve nga e majta që të braktisnin mbledhjen, pasi sot vëmendja duhet të jetë tek kundërshtimi i mbetjeve të rrezikshme, që mban anija “Moliva”, që ndodhet në radën e portit të Durrësit.

Në përgjigje të deklaratës së këshiltarit Burgija, kryetarja e bashkisë Emiriana Sako tha rritja e pagave të administratës duhet të nënkuptojë një shërbim edhe më të mirë kundrejt qytetarëve, ndërsa specifikoi se kjo rritje prek 628 punonjës.  

Nga rendi i ditës u hoq pika nr.9, e cila do të diskutohet në një nga mbledhjet e ardhshme. Të gjitha pikat e rendit të ditës u miratuan me shumicën e votave të këshilltarëve socialistë, pasi 3 këshilltarët e opozitës të pranishëm në mbledhje abstenuan apo votuan kundër.

Për herë të parë, në mbledhjen e kësaj të hëne u aplikua votimi elektronik.

M.B.