Partia Demokratike ka ridepozituar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve listën e re të kandidatëve për deputetë në zgjedhjet e 25 prillit, ku vihen re ndryshime në renditje, apo heqja nga gara e disa personave.
NDRYSHIMET NË DURRËS
Në Durrës është hequr nga lista Riselda Kalia, ndërkohë që vendin e saj e zë Merita Dakovelli, e 15-ta në listën e qarkut. Artion Bajramaj zbret nga vendi i 17-të në vendin e 19-të dhe vendin e tij e zë Armand Brahimaj.
NDRYSHIMET NË TIRANË
Ajo që bie në sy në qarkun e Tiranës është fakti që është hequr Gazmend Koduzi, vendin e të cilit e ka zënë Dorian Teliti që zhvendoset nga vendi i 26-të në vendin e 23-të. Në listën e re futbollisti i Tiranës Gentian Muça shkon në pozicionin e 26-të në listë.
Deputeti Korab Lita, i cili iu bashkua selisë blu, ngrihet një vend më lart në renditje, nga nr. 34 në nr. 33 të listës së kryeqytetit. Ndërkohë vendin e Litës me nr. 34 e zë Lediana Fratari. Asllan Dogjani kapërcen nga vendi i 36 në vendin 35, duke zëvendësuar Rivelino Çunin, që ishte përfaqësues i komunitetit rom me partinë për Evropianizim dhe Integrim.





