Një shkrim i publikuar në rrjetin investigativ BIRN ka sjellë përplasjen e radhës mes Partisë Demokratike dhe Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike. Nga foltorja e selisë blu, Grida Duma akuzoi OSHEE se ka gënjyer, duke deklaruar më shumë të ardhura për të mbuluar vjedhjet.
“Një investigim i fundit i medias, ka zbuluar se bleta punëtore e Edi Ramës, Ardian Cela, është në fakt një brumbull mashtrues, – tha Duma. – Siç raporton media, vetë shkresat zyrtare hedhin poshtë gënjeshtrat e kapobandës së OSHEE për të ardhurat në vitin e kaluar, të cilat nuk janë 59,4 miliardë lekë sa thotë bleta e Ramës, por janë 54,2 miliardë. Ky është një mashtrim i përsëritur. Edhe një vit më parë është mashtruar me rritjen e të ardhurave, duke i deklaruar 16,5 miliardë lekë, kur në fakt ishin më pak se gjysma, 7 miliardë lekë. Gënjeshtrat me miliarda lekë janë provë e vjedhjeve, e hajdutërisë, e korrupsionit, janë një përpjekje mjerane për të ushqyer propagandën e sukseseve të paqena të Edi Ramës.”