Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun në Partinë Demokratike, Grida Duma, bashkëbisedoi me banorët e qytetit të Përmetit mbi situatën ekonomike dhe sociale të tyre. Pronarët e bizneseve të vogla dhe qytetarët shprehën dhimbjen e madhe për varfërinë e skajshme që ka mbërthyer qytetin turistik, kur xhirot e biznese kanë shkuar përtokë ndërsa banorët vuajnë mungesën e një pune të çfarëdoshme.

Sipas një njftimi për mediat nga Partia Demokratike, një qytetar është shprehur se "problemet janë të mëdha dhe presioni është i jashtëzakonshëm." "Nga të gjitha anët varfëria është e skajshme dhe tatimet vijnë gjithë kohës. Po nëse tatimori të vjen e të sillet si xhandar, atëhere ka mbaruar çdo gjë. Vjen e të bëhet zot në vendin tënd. Të shqyen derën dhe të vë gjobë. Taksat po ashtu nuk vejnë aty ku duhet," – ka thënë pronari i një ushqimore në Përmet.

Sekretarja Duma u shpreh se kjo situatë e vështirë është në katër anët e vendit ku njerëzit ngrysin ditët në vështirësi të madhe ekonomike, në mungesë të plotë përkrahje dhe shprese tek kjo qeveri. "Këtu në Përmet Partia Demokratike ka mundur të fitojë besimin e qytetarëve  dhe duhet ta justifikojë atë deri në fund. Por, lufta me varfërinë është shumë më e madhe se sa kaq. Dhe sot jemi me të drejtë në situatë ku të thonë se çfarë mund të bëjë opozita. Opozita nuk është në pushtet, por opozita do të mbrojë qytetarët me të gjitha mjetet e veta, nga fatura e energjisë, nga kempet që u hiqen qytetarëve, nga pensionet që shkojnë sot në Gjirokastër apo në Tiranë se këtu nuk marrin shërbim pasi zyrat e punës i largojnë si armiq. Në fakt varfëria i ka bërë shqiptarët armiq sepse nuk po japin dot përgjigjen kur ai të thotë se marr borxh kur kam krah pune, që thotë që dikur mbaheshim me një punë private por tani në duhet një punë në shtet që të mbajmë biznesin privat se shkojmë në minus. Kjo është situata. Skemi për të bërë ndonjëherë opozitë vetëm për opozitë por në fat duhet bërë shumë më tepër që njerëzit të ndjejnë që zëri i tyre po ushtron presionin e duhur, ashtu siç duhet të ndodhë në një vend normal demokratik," – ka thënë Duma.