UAMD-ja hyn në histori: pedagogët e tij këshilluan Ferdinand Xhaferajn të premtonte rritjen e cilësisë së diellit dhe rërës në plazhin kryesor të Shqipërisë
DURRËS, 12 gusht 2013 – Në prag të dorëzimit të pushtetit, deri më 23 gusht 2013, Universiteti publik “Aleksandër Moisiu” Durrës, një nga bastionet e PD-së në arsimin e lartë, dëshiron t’u sigurojë edhe 15 vende të reja pune mbështetësve të vet. Në buletinin e Agjencisë së Prokurimit Publik të 12 gushtit 2013 Universiteti publik “Aleksandër Moisiu” Durrës ka bërë njoftime për këto poste vakante që i krijoi qeveria e djathtë: një vend për sekretare kancelari; dy vende për specialistë në drejtorinë menaxhimit të shërbimeve dhe investimeve; dy vende për specialistë në sektorin e këshillimit të studentëve dhe alumni; gjashtë vende për sekretare mësimore; dy vende për personel ndihmës mësimor – shkencor; dy vende për specialistë finance në drejtorinë e menaxhimit financiar. Aplikimet duhet të dorëzohen brenda datës 23 gusht. Këto vende pune pasojnë 115 të tjera që u shpallën fill pas zgjedhjeve të 23 qershorit dhe që duhet të plotësoheshin brenda datës 15 korrik 2013.
Info /
Universiteti “Aleksandër Moisiu” Durrës (UAMD) është institucion publik i arsimit të lartë i krijuar me Vendim të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë, Nr. 801, datë 20.12.2005 “Për hapjen e Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës”. Për herë të parë universiteti hapi dyert për studentët në vitin akademik 2006-2007. Kryetari i PDSH-së dhe kryeministri Sali Berisha e ka vizituar disa herë këtë universitet dhe gjatë fushatave elektorale. Në këtë universitet ka ardhur për debat Ferdinand Xhaferaj, ish-kryetari i degës së PD-së, deputet, njeriu që braktisi postin e ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sportit për të mundur PS-në dhe kandidatin e saj për kryebashkiak në mandatin e dytë Vangjush Dako. I ndihmuar nga pedagogët e këtij universiteti, Xhaferaj shpalosi strategjinë e tij për turizmin, duke premtuar përmirësimin e cilësisë së diellit dhe rërës në plazhin e Durrësit (fotoja poshtë është fiksuar në auditorët e UAMD-së, në prill 2011, pikërisht kur bënte premtimin, që pasonte atë për sjelljen e eshtrave të Ismail Qemalit). Kështu Xhaferaj dhe UAMD-ja ngelën në histori (shih videon: http://www.youtube.com/watch?
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





