·        Deputeti Bylykbashi denoncon heqjen e kompetencës së Presidentit në emërimin e kreut të kontrollit të verifikimit të pasurive. Tani ILDKP në dorë të qeverisë

Tiranë, 19 prill 2014 – Partia Demokratike ka denoncuar heqjen e kompetencës së Presidentit në emërimin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Në një deklaratë për mediat deputeti i kësaj partie Oerd Bylykbashi u shpreh se ky është një sulm mbi institucionet e pavarura. Sipas Bylykbashit, tashmë ky inspektoriat është në dorë të Rama – Meta. Bylykbashi u shpreh se Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit.

“Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre”, – tha Bylykbashi.  
 

Deklarata e plotë e deputetit demokrat Oerd Bylykbashi

Partia Demokratike dënon sulmin e ri të dyshes Rama-Meta mbi institucionet e pavarura. Pasi uzurpuan në mënyrë të paligjshme kreun e ILDKP, tashmë po përpiqen ta legalizojnë këtë kapje politike të këtij institucioni, duke vënë tërësish nën kontroll procedurën e emërimit.

Mazhoranca po i heq një kompetencë tjetër Presidentit të Republikës duke i marrë atij të drejtën e propozimit të kandidaturave për kreun e ILDKP-së. Emërimi i kreut të ILDKP-së nga Kuvendi me propozim të Presidentit është një mekanizëm kontrolli dhe balance që garanton pavarësinë e Inspektoratit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive.

Me heqjen e kompetencës së Presidentit, dyshja Rama-Meta zhbën përfundimisht pavarësinë e ILDKP-së. Pavarësia e këtij institucioni është themelore për besueshmërinë e luftës kundër korrupsionit të qeveritarëve. Me ILDKP-në nën kontrollin e kësaj dysheje, antikorrupsioni i ILDKP-së kthehet vetëm në një farsë të turpshme. Që këtej e tutje, ILDKP-ja do certifikojë si noter i bindur pasuritë e qeveritarëve të rinj dhe do të përdoret si kamxhik politik ndaj kujtdo që u del kundër.

Partia Demokratike denoncon këtë sulm të ri hakmarrës ndaj Kreut të Shtetit. Ky sulm është në vazhdën e sulmit ndaj kompetencave të Presidentit dhe pavarësisë së institucioneve për të cilat ai është garant. Mazhoranca po përgatit heqjen e kompetencave të tij si Komandant i Përgjithshëm. Gjithashtu, mazhoranca ka zhbërë  de facto kompetencën e propozimit te kandidaturave për gjyqtarë në Gjykatën e Lartë duke i rrëzuar ato vetëm politikisht dhe pa asnjë arsye ligjore. Qëllimi i vetëm është kontrolli politik i Gjykatës së Lartë nëpërmjet detyrimit të Presidentit të dekretojë vetëm njerëzit e dyshes Rama-Meta, që kjo gjykatë të mbyllë aferat e tyre.

Partia Demokratike mbështet çdo forcim të ligjit të ILDKP-së që rrit rolin e këtij institucioni në luftën ndaj korrupsionit të qeveritarëve. E kemi mbështetur forcimin e ILDKP-së me ndryshimet që bëmë në vitin 2012 kur ishim në qeveri, e mbështesim edhe sot në opozitë. Por shpartallimi i pavarësisë së ILDKP me ndryshimin e procedurës së emërimit vetëm nga mazhoranca dhe duke eliminuar Presidentin, e kthen përfundimisht ILDKP në një kone të butë të dyshes Rama-Meta.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/