Përfaqësues të Partisë Demokratike në Durrës ashtu si çdo vit kanë zhvilluar homazhe te Varrezat e Dëshmorëve për 105-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë, por edhe 73-vjetorin e çlirimit të vendit.
Demokrati i vjetër Sabah Jemishta dhe përfaqësues të tjerë të selisë blu të Durrësit kanë vendosur kurora me lule pranë mauzoleumit të Dëshmorëve. Demokratët kremtojnë sot, në datë 28 nëntor ditën e Pavarësisë si edhe atë të Çlirimit, ndryshe nga të majtët të cilët kremtojnë edhe 29 nëntorin si festë kombëtare.
Në homazhe ka munguar kreu i komanduar i PD-së së Durrësit, Oerd Bylykbashi, ndërsa munguan homazhet tek busti i Azem Hajdarit.
Në një prononcim për mediat, Sabah Jemishta u shpreh se sot është dita kur çdo shqiptar përkulet me respekt të thellë para heronjve.
“Të gjithë shqiptarët, ngado që janë, nderojnë dhe respektojne veprën e patriotëve te mëdhenj që mbushën plot 105 vjet nga dita e mëvetësisë dhe shpalljes së Shqipërisë së pavarur. Respekt dhe nderime për të gjithë ata që kontribuan për këtë ditë dhe për këtë vend”.
Në 29 Nëntor, deputetët e PS-së së qarkut Durrës dhe drejtuesit vendorë pritet të zhvillojnë homazhe në Mauzoleumin e Dëshmorëve për festën e çlirimit të vendit.
K.H.





