Kandidimi i Igli Carës në garën për kryetar bashkie më 14 maj 2023 i heq atij në bazë të statutit të PD të drejtën për të mbajtur postin e kreut të degës së Durrësit.
Në ditët e fundit të këtij viti, strukturat drejtuese në qendër kanë marrë vendim për të komanduar në vend të Carës, Dritan Burgijën, që mbante postin e nënkryetarit të degës. Ndërkohë, në vendin bosh të zënë nga Burgija është emëruar Elvis Shuaipi, i cili që nga data 27 dhjetor mban postin e kreut të degës.
Të dy vendimet mbajnë firmën e sekretarit të përgjithshëm Flamur Noka. Deri këtu gjithçka duket e kopsitur mirë, por në këto dy raste vendimmarrja ka ardhur nga lart, pa u konsultuar me strukturat dhe kryesinë vendore.
Zhvillimet e ditëve të fundit në degën e PD Durrës, ku emërimi i një prej nënkryetarëve në postin e kryetarit të degës, pasi kryetari në detyrë ka dhënë dorëheqjen sepse kandidon për bashkinë e Durrësit, si dhe emërimi i një nënkryetari të ri të degës, pa zgjedhje, por me shkresë nga Tirana, ka sjellë pakënaqësi në strukturat drejtuese dhe në bazë.
Burime të sigurta pranë kësaj dege bëjnë me dije se pakënaqësia është për mënyrën se si po procedohet me këto emërime. Në shkelje të hapur të statutit dhe të rregulloreve të brendshme që rregullojnë jetën e kësaj organizate, drejtuesit në Tiranë të PD-së, pa u konsultuar dhe pa marrë vendimin e organeve drejtuese siç është kryesia e degës lokale flasin dhe emërojne drejtues në emër të këtij organi.
Burimet thonë që e njëjta skemë në shkelje të statutit u përdor dhe për emërimin e sekretarit të degës, që u trumbetua me të madhe si bashkimi i degës, por që në fakt nuk rezultoi ashtu..
Baza demokrate e të dy kampeve, si të Foltores dhe të Vulës, është për një bashkim real, sepse e kanë kuptuar që shanset për të fituar në garën e radhës për bashkinë e Durrësit nëse futen të përçarë janë shumë të vogla. Duket se e gjithë loja e pushtetit po bëhet nga disa personazhe drejtues të degës, të cilët kanë shitur interesat e demokratëve e të opozitës, në bashkëpunim dhe me lojën e pushtetit në Tiranë.
Të gjitha këto e dëmtojnë qëllimin final të opozitës, atë të fitores së bashkisë pas 23 vitesh që administrohet nga e majta.