Agron Kapllanaj është i pari nga “grupi” i Enkelejd Alibeajt brenda Partisë Demokratike që konfirmon kandidaturën për një bashki në zgjedhjet lokale të 14 majit.
Kapllanaj ka thënë se do e zyrtarizojë kandidaturën në fundjavë para strukturave.
“Vendimi për të kandiduar nuk është ambicie as ofiqe personale, por detyrim ndaj qytetarëve që më kanë besuar ndër vite dhe fatkeqësisht i braktisëm në vitin 2019”, tha ai.
Sipas Kapllanajt, emri i tij i bashkon demokratët, ndërsa shtoi se nuk ka bërë dallime ndaj qytetarëve të cilëve iu ka shërbyer.
“Demokratët do të dinë të zgjedhin. Unë e kam dëshmuar në ditë të vështira se ju kam shërbyer atyre. Ju kam shërbyer demokratëve dhe socialistëve pa dallime. E kur nuk kam bërë këto dallime, nuk mund të shoh dallime brenda familjes time politike”, tha Kapllanaj.
Ai dha një përgjigje të prere nëse ka negociuar apo do të negociojë me grupin e Sali Berishës, duke theksuar se do të jetë kandidat.
“Unë do të jem kandidat. Partia ime, siç e thashë dhe e kam thënë, janë qytetarët mallakastriot. Atyre u detyrohem dhe do jem aty për ta”, tha ai në Ora News.