Tiranë, 7 prill 2014 – Një shfaqje televizive e ka cilësuar Partia Demokratike fjalën e kryeministrit Edi Rama gjatë prezantimit të prefektes së re në Vlorë. Në një deklaratë për mediat zëdhënësia e PD-së Laura Vorpsi u shpreh se bilanci është negativ në çdo drejtim për vlonjatët dhe gjithë shqiptarët.
“Edi Rama dhe gjysma e qeverisë e çuan dëm sot një ditë pune, duke e bërë Vlorën një teatër ku me regji qendrore, Kryeministri dhe të tijtë, vunë në skenë një komedi të zezë. 7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë nuk ka asnjë një vend të ri pune. 7 muaj pas ardhjes në pushtet, në Vlorë kërcet tritoli dhe trafiku i drogës përmes Vlorës ka vënë në alarm shtetet fqinje. 7 muaj pas ardhjes në pushtet, varfëria është rritur në Vlorë dhe gërmadhat e tritolit të trilleve të Ramës janë vigjilja e sezonit turistik. Pikërisht në këtë situatë, Edi Rama bën show, sillet si një konferencier, duke drejtuar një spektakël të shëmtuar të largimit nga puna të një prefekti të dështuar”,- u shpreh Vorpsi.
Më tej ajo ka vijuar duke thënë se asnjë gjë e mirë nuk ka ndodhur në Vlorë, qysh kur Edi Rama u zgjodh deputet atje dhe Kryeministër.
Por pas deklaratës së Vorpsit, i menjëhershëm ka qenë reagimi i degës së Partisë Socialiste në qytetin e Vlorës. Në reagimin e degës së PS-së theksohet se qeveria i ka kthyer qytetit frymëmarrjen.
“Saliu plak dhe laureshat e tij, bëjnë mirë të mos e zënë me gojë Vlorën. Sepse sa herë hapin gojën i kujtojnë Vlorës shkatërrimet e pasurive kombëtare, grabitjet e pronave në bregdet, zero investimet e tyre për Vlorën në tetë vjet. Me Edi Ramën dhe qeverinë e socialisteve të bashkuar Vlorës i është kthyer frymëmarrja dhe buzëqeshja. Ata që me politikën e tyre antishqiptare e bënë Shqipërinë përshesh, nuk mund të kërkojnë sot llogari për plagët që hapi kudo pushteti i tyre. Vlora dhe gjithë Shqipëria po rilindin dita-ditës”,– thuhet në reagimin e PS.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





