Lulzim Basha, ende nuk i ka përcaktuar zyrtarisht kandidatët për garën në 6 bashki. Këtë të mërkurë ai ka zhvilluar takime intensive me drejtues të partisë në Shkodër dhe Dibër, për emrat e mundshëm.
Partia Demokratike ka mbetur e fundit për përcaktimin e kandidatëve mes gjithë partive që do të kenë emra për zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit.
Deri tani janë vetëm dy bashki, për të cilat degët kanë propozuar emra. Luan Hoti për bashkinë e Durrësit dhe Ferdinand Saraçi për Bashkinë e Rrogozhinës.
Ndërkohë këtë të mërkurë Lulzim Basha, ka takuar drejtuesit dhe faktorët politik të bashkive të tjera ku do të ketë zgjedhje.
Në Shkodër emri më potencial dhe që pritet të miratohet është ai Xhemal Bushatit, i cili ka mbajtur më herët detyrën e kryetarit të këshillit bashkiak.
Duket se strukturat janë dakordësuar rreth këtij emri ndërsa fjalën e fundit do ta jap kryesia qendrore.
Në Dibër po diskutohet mes dy emrave, Naim Gazidede i cili është kryetar i degës dhe Luan Haka që mban detyrën e Sekretarit të Deges.
Në diskutime ka qenë edhe emri ish deputet Xhaml Gjunkshi. Edhe në Lushnje vendimi nuk është I lehtë. Lulzim Basha mes kandidaturave ka vlerësuar edhe deputetin aktual Sajmir Korreshi, por për disa arsye emri më i mundshëm për në këtë garë mund të jetë ai i drejtuesit të departamentit juridik, Indrit Sefa.
Për Bashkinë e Vorës, po diskutohet emri i ish kryetarit Fiqiri Ismaili.
Pas konsultimit dhe marrjes së vendimit me strukturat e degëve ku do të ketë zgjedhje, Lulzim Basha, në bazë të statutit do të mbledhë kryesinë e partisë për miratimin e tyre.





