·        I deleguari Bled Kasmi nuk ka qenë në gjendje të “inventarizojë” anëtarësinë, pasi shumë demokratë, ose janë me të ndjerin Sokol Olldashi, ose kanë përfunduar te LSI-ja dhe PR-ja, që kanë marrë shumë vota në zonë

·        Ka keqpërdorur në organin e partisë shpërthimet me tritol në zonë për propagandë dhe se teprimi i është kthyer në bumerang kryeredaktorit të RD-së, pasi banorët, mes tyre edhe demokratët e Fushës-Krujës, nuk duan të identifikohen si bastion dinamit-vënësish në krejt Republikën

DURRËS, 28 mars 2014 –  Të deleguarit e kryesisë së PD-së për zgjedhjet brendapartiake në qarkun e Durrësit po hasin vështirësi në kompaktësimin e radhëve të opozitës, sidomos kryeredaktori i RD-së Bled Kasmi në degën e Fushë-Krujës.

Një nga skifterët e PD-së në Tiranë, i vënë plotësisht nën kontrollin e ish-kryetarit Sali Berisha, Kasmi, ka keqpërdorur në organin e partisë shpërthimet me tritol në zonën e Fushë-Krujës për propagandë kundër shumicës qeverisëse.

Por teprimi i është kthyer në bumerang të deleguarit të qendrës, pasi banorët, mes tyre edhe demokratët e Fushës-Krujës, nuk duan të identifikohen si bastion dinamit-vënësish në krejt Republikën, i thanë “Dyrrah”-ut zëra nga dega e këtushme.   

Demokratët vendorë kanë vënë në dukje se magazinat më të mëdha të dinamitit në Shqipëri ndodhen në Fushë-Krujë dhe janë në pronësinë e transferuar te Pëllumb Babasi nga themeluesi i firmës, ish-deputet dhe i deleguar në degën e Shijakut, Ndriçim Babasi.

Kasmit të RD-së i është kërkuar llogari pse nuk bëhet analiza e humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, thanë burime nga selia vendore.

I deleguari nuk ka qenë në gjendje të “inventarizojë” anëtarësinë, pasi shumë demokratë, ose janë me të ndjerin Sokol Olldashi, ose kanë përfunduar te LSI-ja dhe PR-ja, që kanë marrë shumë vota në zonë.

Në këtë pikëpamje reputacioni i Kasmit është hedhur në erë nga ai vet, nga kronikat me tritol Fushë-Kruje.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/