Partia Demokratike i kërkoi sërish sot Gjykatës Kushtetuese që të zbardhë sa më shpejt vendimin për mandatin e deputetit të Partisë Socialiste, Koço Kokëdhima. Përmes një deklarate për shtyp, nënkryetari i grupit parlamentar të PD, Eduard Halimi, tha se ky rast është me rëndësi të madhe publike, pasi çështja ka të bëjë me korrupsionin shtetëror. Halimi akuzoi kryeministrin Edi Rama se po ndërhyn me çdo mjet për të vonuar zbardhjen e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Kryeministri i Jugut, siç e ka dekretuar vetë Rama, është kapur me 150 shkelje të ligjit themelor te vendit, duke përfituar fonde publike për biznesin e tij. Por, drejtësia vonon për të, pasi Koço është ushtar i Ramës dhe i premtoi se do të dërgonte në Kongres tre herë më shumë delegatë të bindur. Ndaj i përsëris sërish sot kërkesën Gjykatës Kushtetuese që të zbardhë e të bëjë efektiv sa më parë vendimin për rastin e deputetit Kokëdhima,” – tha Halimi.