Partia Demokratike ka nisur sot fushatën për zgjedhjet e 11 Majit në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, ku përgatitjet janë në kulmin e tyre. Fushata e PD pritet të ndjekë modelin e Presidentit të SHBA-ve, Donald Trump, me një skenografi të veçantë që do të shfaqë të rinj si pjesë e podiumit, përreth të cilit kryedemokrati Sali Berisha do të mbajë fjalën.
Një tjetër surprizë e kësaj ngjarje është pjesëmarrja e Chris LaCivita, strategut të Berishës, i cili ka postuar një video me një buf që gllabëron një mi, një mesazh i drejtpërdrejtë ndaj kryeministrit Edi Rama. Në shesh janë vendosur 6 mijë karrige, dhe pritet që rreth 12 qarqet e vendit të kenë mbështetësit e tyre të pranishëm.
Pas këtij eventi, Sali Berisha do të paraqesë programin qeverisës të PD nëse partia e tij fiton zgjedhjet. Po ashtu, disa parti të tjera kanë nisur tashmë fushatën, si “Mundësia” e Agron Shehajt, që ka nisur turin e saj në orën 08:00, duke udhëtuar nga Shkodra deri në Sarandë, dhe “Nisma Shqipëria Bëhet”, që do të nisë në Vlorë më 12 prill.
Fushatat e tjera janë planifikuar gjithashtu të hapen në ditët në vazhdim, me Partinë “Bashkë” të Arlind Qorit që do të nisë në Fier, ndërsa Koalicioni Euro-Atlantik i Lulzim Bashës do të nisë më 12 prill në një ambient privat.