Opozita do të hapë sot zyrtarisht në orën 19:00 te “Nënë Tereza” fushatën e saj për zgjedhjet.

Më një skenografi krejt ndryshe nga herë të tjera, ky moment do të paraprihet që prej orës 18:00 nga aktivitetet e të rinjve, njësoj si imazhi i hapjes së fushatës të Presidentit Trump, në qendër të të cilit ishte rinia. Tri ekrane LED do të vendosen për historikun e PD-së, ndërkohë që në hyrje të bulevardit do jenë 11-të njësha, që simbolizojnë numrin e “Aleanca për Shqipërinë Madhështore” në fletën e votimit.

Drejtuesi i fushatës, Chris LaCivita, do të jetë krah Sali Berishës, të cilët do t’u drejtohen shqiptarëve më fjalimet e tyre. Vetë lideri i PD-së dje nuk zbuloi detajet e hapjes së fushatës elektorale, por ai foli për mbështetje të madhe të shqiptarëve për PD-në në garën e 11 majit.

Sipas tij, gjithçka është gati për çeljen zyrtare të fushatës, skenarin e së cilës preferon ta mbajë surprizë, duke e krahasuar me ceremoninë e martesës së një çifti. “Çifti dashurohet, muaj apo vite, po e ka një ditë që ndryshon dhe paraqitet krejt tjetër dhe të gjithë, pavarësisht se i kanë parë me qindra dhe mijëra herë, vrapojnë t’i shohin atë ditë si çift, me kostumin e nusërisë. Ndaj dhe të gjitha surprizat janë nesër”, – tha Sali Berisha.