Tiranë, 22 korrik 2014 – Heshtja e kryeministrit Edi Rama është në shërbim të aleancës me krimin. Kështu ka deklaruar në një dalje publike nga selia e Partisë Demokratike, Keltis Kruja, deputet i kësaj partie. Sipas Krujës, Rama nuk ka reaguar në lidhje me agresionin fizik që iu bënë në Kuvend, deputetit Gent Strazimiri. 

“Prej 12 ditësh, Edi Rama hesht për aktet mafioze të goditjes dhe kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Heshtja e Ramës është një provë e gjallë, se është ai regjisori i agresionit fizik dhe kërcënimit me jetë të përfaqësuesve të Partisë Demokratike. Edi Rama kërkon ti mbyllë gojën opozitës në mënyrë që të mos ketë transparencë mbi lidhjet e tij kriminale, mbi dështimet e tij të përditshme dhe në çdo fushë. Edi Rama hesht pas goditjes fizike dhe kërcënimit me jetë të deputetit të opozitës.”-thuhet në reagimin e PD-së. 

Sipas deputetit të PD-së, kryeministri Rama po hesht dhe ndaj kërcënimeve që iu bënë zëdhënëses së Partisë Demoktratike, Laura Vorpsit.

“Partia Demokratike është më e angazhuar se kurrë për të denoncuar lidhjet kriminale të Edi Ramës, dhe ne i bëjmë sërish të ditur se ai do të mbajë përgjegjësi politike, ligjore, personale dhe të gjithanshme për këto lidhje, dhe për çdo akt agresioni dhe kërcënimi ndaj opozitës.”-përfundon deklarata e PD-së. 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/