DURRËS, 12 tetor 2014 –  Partia Demokratike është tejet e ndjeshme për shpërthimet me lëndë plasëse, kështu një  Benz është hedhur në erë me tritol në orët e para të mëngjesit të së shtunës, 11 tetori 2014, rreth orës 04:00 të mëngjesit në një rrugicë që lidhet me sheshin “Taulantia” dhe Lungomaren, raportoi në faqe të parë organi zyrtar i opozitës,  RD-ja, në numrin e 12 tetorit 2014.

Benz-i, që kushtonte 60 mijë dollarë, ka qenë i parkuar para shtëpisë, ndërsa persona të panjohur kanë vendosur një sasi tritoli, duke e hedhur në erë.

Fatmirësisht në momentin e shpërthimit nuk ka pasur njeri brenda në makinë.

Nga shpërthimi i fuqishëm është dëmtuar makina, ndërsa në vendngjarje kanë shkuar forcat zjarrfikëse me 30 minuta vonesë, të cilat kanë shuar flakët.

Ndërsa policia në orën 5:00 të mëngjesit ka shkuar në vendngjarje dhe ka punuar për të humbur gjurmët e shpërthimit.

Shpërthimi i fuqishëm ka tronditur banorët e lagjes, duke krijuar frikë dhe panik.

Policia jo vetëm që nuk ka mundur të identifikojë dhe arrestojë autorët e krimit, por e ka mbajtur të fshehtë ngjarjen.

Lajmi nuk u publikua nga asnjë media.

Drejtuesi i mjetit bëri të ditur, se nuk ka asnjë konflikt dhe nuk e di se kush mund ta ketë vendosur tritolin, thotë PD-ja.

Opozita e di që zyra e shtypit e drejtorisë së policisë së qarkut të Durrësit e ka pushim të shtunave dhe të dielave, duke bërë “mullar” komunikatën të hënave.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/