Tiranë, 7 gusht 2014 – Partia Demokratike, ka kërkuar lirimin nga burgu të kryekomunarit të Rrashbullit, Hysen Gashit, i akuzuar për dhënien e lejeve të paligjshme të ndërtimit në Shkëmbin e Kavajës.

Deputeti i PD-së Oerd Bylykbashi  tha se në të kundërt duhet të arrestohet edhe  kryebashkikut i Vlorës, Shpëtim Gjika. “Kryeministrti Rama kërkon të marrë peng sistemin e drejtësisë, teksa për cështje të ndryshme merr gjykatësit në telefon për tju diktuar vendmin që duhet të marrin”, deklaroi Bylykbashi.

Sipas selisë blu Gashi mbahet në burg padrejtësisht, në kushtet e një krimineli të rrezikshmërisë së lartë, në një kohë kur ai nuk mund të dalë jashtë vendit dhe kur gjendja e tij shëndetësore është e rëndë.

Me ligjin që u miratua së fundmi në Parlament, tha  Bylykbashi, togat e zeza ndodhen nën këtë presion, në një kohë kur kriminelët e vërtetë nuk janë në burg, por në Kuvend.

 

Deklarata e plotë e deputetit Oerd Bylykbashi

Kapja e drejtësisë nga Edi Rama ka filluar të japë produktet, në kurriz të standarteve dhe ligjshmërisë.

Prej një muaji, mbahet me arrest në burg, kryetari i Komunës së Rrashbullit, Hysen Gashi, i cili akuzohet nga prokuroria për të njëjtat shkelje që akuzohet Kryetari i Bashkisë së Vlorës, por ky i fundit është cdo ditë i lirë.

Aplikimi i dy standarteve nga gjykatat, masën më të fortë për të zgjedhurin demokrat, dhe masën më të butë për të zgjedhurin socialist, është një këmbanë alarmi për drejtësinë në vend, dhe për gjunjëzimin e saj para presioneve të paprecedenta të Edi Ramës.

Kryeministri ka arritur deri aty sa të marrë drejtpërdrejt në telefon gjykatësit për cështje të ndryshme, por me ligjin që kaloi së fundmi në parlament, të gjithë togat e zeza janë të kërcënuara dhe të orientuara për të dhënë drejtësinë që do Edi Rama.

Në rastin e kryetarit të Komunës së Rrashbullit, është aplikuar masa më e ashpër e mundshme, edhe pse ai nuk është në rrethanat e ikjes nga vendi, apo të prishjes së provave, duke qënë se provat tashmë janë administruar nga prokuroria.

Gjithashtu, Gashi ka një gjendje të rënduar shëndetësore, rrethanë që gjykata e mban parasysh kur jep masën e sigurisë.

Për të zgjedhurin demokrat, drejtësia jep masën e sigurisë që duhet të aplikohet ndaj kriminelëve me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

Ndërkohë që për fatin e keq të vendit dhe të demokracisë, kriminelët me rrezikshmëri të lartë shoqërore janë tashmë edhe në parlament, dhe janë ata që do të vendosin për gjyqtarët.

Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorit të Përgjithshëm dhe gjyqtarëve që të garantojnë parimin e barazisë para ligjit për cdo shtetas të Republikës dhe të ‎ të drejtave të tyre procedurale, në respekt të një procesi te drejtë ligjor.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/