Tiranë, 15 qershor 2014 – Partia Demokratike ka akuzuar qeverinë se po bëhet streha e personave me precedentë penalë për trafik droge. Në një deklaratë për mediat zëdhënësia e kësaj partie Laura Vorpsi u shpreh se një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendshme është dënuar më parë për trafik droge. 

“Administrata dhe Policia e Shtetit, janë bërë streha e sigurt e personave me precedentë penalë dhe personave të dënuar për trafik droge. Binak Dobrushi, i arrestuar në dhjetorin e vitit 2008 me rreth 2 kilogramë heroinë, i konsideruar si grosisti i rrjetit të drogës në Tiranë, drogë që përfundonte edhe në shkollat e fëmijëve tanë, i dënuar nga gjykata, është sot një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendshme. Me detyrën që ka në krah të Drejtorit të Rendit Publik, i dënuari për trafik droge, ka marrë sot me Edi Ramën, imunitetin dhe lehtësirat që i duhen për të ushtruar aktivitetin e tij."– u shpreh Vorpsi. 

Më tej ajo theksoi se: “Kthimi i Shqipërisë në një laborator të madh droge, nuk është një zhvillim rastësor. Kjo ndodh, sepse në administratë, në poste kyçe, janë vendosur persona të arrestuar e të dënuar në të kaluarën për trafik droge. Emërimi i Dobrushit dhe i të tjerëve me precedent penal, është i qëllimshëm. Provoni të klikoni në google, emrin e këtij personazhi dhe do të shihni dhjetra artikuj të shtypit që flasin për drogën që i kanë kapur, dhe historinë e tij. Si ka mundësi që Ministria e Brendshme nuk e bën dot një verifikim minimal. E vërteta është se ky kontroll nuk vlen, pasi me Edi Ramen, të inkriminuarit janë në listën e të preferuarve.”.

 

Reagimi i Ministrisë së Brendshme

Ka reaguar Ministria e Punëve të Brendshme në lidhje me akuzat e Partisë Demokratike për Binak Dobrushi, për përfshirje të tij në trafikun e drogës. Më anë të një deklarate drejtuar mediave, Ministria e Brendshme ka hedhur poshtë akuzat e PD-së, duke bërë me dije se Dobrushi, detyrë shofer-mekanik në Qendrën e Shërbimeve dhe Administrimit të Automjeteve të MPB-së, është larguar nga puna më datën 2 qershor. Në reagimin e Ministrisë thuhet se Binak Dobrushi, është pezulluar nga puna me motivacionin "Papërshtatshmëri për të punuar në organet e MPB-së". 

“Si kurrë më parë në historinë e Ministrisë së Punëve të Brendshme është iniciuar verifikimi i personalitetit. Dhe për rastin e mësipërm, menjëherë, sapo u vu re mospërputhja me kriteret e emërimit u urdhërua largimi nga detyra. Ministria e Punëve të Brendshme siguron opinionin publik se referencë në punën e saj është vetëm ligji, duke garantuar përmbushjen me përpikmëri të detyrës, në funksion të sigurisë publike”,– thuhet në reagimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme. 

 

Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi

Administrata dhe Policia e Shtetit, janë bërë streha e sigurtë e personave me precedentë penalë dhe personave të dënuar për trafik droge.

Binak Dobrushi, i arrestuar në dhjetorin e vitit 2008 me rreth 2 kilogramë heroinë, i konsideruar si grosisti i rrjetit të drogës në Tiranë, drogë që përfundonte edhe në shkollat e fëmijëve tanë, i dënuar nga gjykata, është sot një nga bashkëpunëtorët më të afërt të Drejtorit të Rendit Publik në Ministrinë e Brendëshme.

Me detyrën që ka në krah të Drejtorit të Rendit Publik, i dënuari për trafik droge, ka marrë sot me Edi Ramën, imunitetin dhe lehtësirat që i duhen për të ushtruar aktivitetin e tij.

Prandaj kthimi i Shqipërisë në një laborator të madh droge, nuk është një zhvillim rastësor.

Kjo ndodh, sepse në administratë, në poste kyçe, janë vendosur persona të arrestuar e të dënuar në të kaluarën për trafik droge.

Emërimi i Dobrushit dhe i të tjerëve me precedent penal, është i qëllimshëm. Provoni të klikoni në google, emrin e këtij personazhi dhe do të shihni dhjetra artikuj të shtypit që flasin për drogën që i kanë kapur, dhe historinë e tij.

Si ka mundësi që Ministria e Brendshme nuk e bën dot një verifikim minimal.

E vërteta është se ky kontroll nuk vlen, pasi me Edi Ramen, të inkriminuarit janë në listën e të preferuarve.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/