Partia Demokratike ka akuzuar sërish ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, për tenderë korruptivë në institucionin që ai drejton. Nga selia blu, deputeti Luçiano Boçi akuzoi ministrin se ditën e fundit të 2015-s, ka kaluar te firma e tij private 130 milionë lekë.

“Ndërkohë që gjendja në spitale është skandaloze, më kritike se kurrë, ku qytetarët nuk marrin shërbimet e duhura, mungojnë medikamentet dhe radhët e prindërve, fëmijëve të vegjël dhe të moshuarve janë dramatike, me pamjet që kanë dalë në media, biznesi i Ilir Beqës njeh rritje. Qeveria ka menduar që kampioni i korrupsionit, të marrë një pako të mirë me para edhe ditën e vitit të ri. Mund të ishin mbyllur sportelet më 31 dhjetor, por jo arka e shtetit për Ilir Beqjan, që kaloi te firma e tij private 1 miliard e 300 milionë lekë”, tha Boçi në një dalje për mediet.

“Kur mijëra familje në vend, nuk gëzonin dot natën e vitit të ri prej varfërisë, mungesës së gjelit të tavolinat e tyre, Ilir Beqaj i kishte shtuar pasurisë së tij edhe 1 miliard e 300 milionë lekë. Teksa numri i tenderëve për Intech plus, kompania e themeluar nga Beqaj, shtohet çdo ditë, paratë e marra nga taksat e shqiptarëve kanë kaluar shumën 12 milionë dollarë. Ky është korrupsioni i thellë e i pandalshëm i kësaj qeverie, i Edi Ramës dhe 40 hajdutëve të tij”, deklaroi deputeti demokrat.