Durrës, 22 shtator 2014 – Këtë të Hënë Kryetari i Bashkisë së Selanikut z. Jansi Butari filloi një vizitë tre ditore në Shqipëri me një agjendë të pasur, ku përfshihen aktivitete në Durrës e Korcë dhe takime me Kryeministrin Rama, Kryeparlamentarin Meta, Kryebashkiakun Basha si edhe Ekzarkun e Patrikut Bartolome të Kostandinopojës z. Anastas Janullatos

Ndër aktivitetet në Durrës ishte edhe akordimi nga Kryebashkiaku Dako për Kryebashkiakun Janis Butari i titullit “Qytetar Nderi i Durrësit” i akorduar nga Këshilli Bashkiak Durrës. Kjo ceremoni u bojkotua totalisht nga këshilltarët e PD-së dhe të Partisë Republikane. Pasi  konsultuam  listën e këshilltarëve, që kishin firmosur për këtë titull, vumë re se ishin këshilltarë të PS-së, të LSI-së si edhe këshilltari i PDS-së. Kuptohet kemi të bëjmë me një qëndrim politik të PD-së durrsake, që e bojkoton Kryebashkiakun e Selanikut si në ceremoni edhe në nënshkrimin e vendimit të Këshillit Bashkia për dhënien e titullit të nderit.

Kryetari i grupit të këshilltarëve blu z. Zamir Ramadani i konfirmoi agjensisë sonë se sekretarja e këshillit bashkiak zonja Meliha dje (të dielën) e kishte informuar për një ceremoni për kryebashkiakun Butari dhe vetëm kaq. Normalisht, që ne nuk mund të merrnim pjesë në një ceremoni kryekëput prodhim i së majtës si dhe e dëshiruar dhe e aplikuar nga Kryebashkiaku Dako- u shpreh Ramadani.

/Gj.Th Agjencia e Lajmeve Dyrrah/