TIRANE, 20 shkurt 2013– Partia Demokratike do të ndjekë të njëjtën skemë të mbulimit të njësive bashkiake të Tiranës si në zgjedhjet lokale të 2011. Ministrat dhe lidershipi i PD-së, përveçse do të kryesojnë grupet e punës nëpër qarqe, do të kenë nën kontroll fushatën edhe në 11 minibashkitë dhe komunat e kryeqytetit.
Kryeministri Sali Berisha ka mbledhur mbrëmë krerët e grupeve të punës së Tiranës, ku në njësitë kryesore, fushata do drejtohet nga ministrat. Sipas gazetës “Panorama” konkretisht, Njësinë Nr. 1 do ta mbikqyrë nënkryetari i PD-së, Astrit Patozi dhe Florian Mima ndërsa te Njësia Nr. 2 do të jetë Sokol Olldashi dhe Lajla Pernaska.
Në njësitë 3 dhe 4 drejtimin e fushatës do ta kenë anëtarët e Kryesisë së PD-së, Tritan Shehu, Keltis Kruja dhe Arben Qirjako, ndërsa në Njësinë Nr. 5, e njohur si bastion i së majtës, do të jetë Genc Ruli. Ndryshimi i vetëm në krahasim me vitin 2011 është një Njësinë Nr. 6, ku nuk do të jetë më Ridvan Bode, por ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Rezultati i dobët i PD-së në zgjedhje lokale në Kombinat duket se e ka detyruar kreun e selisë blu të bëjë këtë ndryshim.
Ndërkohë në njësinë Nr. 7 drejtues i fushatës do të jetë Arben Imami, në njësinë Nr. 8 do të jetë Jorida Tabaku, në njësinë nr.9 Majlinda Bregu, në njësinë nr.10 Gerti Bogdani dhe në njësinë nr.11 Aldo Bumçi. Ndërkohë drejtimi i fushatës nëpër komunat e Tiranës i është besuar deputetit Genc Strazimiri dhe ministrit të Arsimit, Myqerem Tafaj.