Tiranë, 16 korrik 2014 – Partia Demokratike paraqiti sot për publikun disa prova të reja, që vërtetojnë se deputeti i PS-së, Arben Ndoka, jo vetëm është dënuar në Itali, por edhe ka vuajtur një pjesë të dënimit në burgun e Varezes.
Provat u bënë sot me dije nga deputeti i PD-së, Flamur Noka, i cili shprehet se, “Ndalimi që i kanë bërë në 2002 në Itali, nuk ka qenë një keqkuptim që është sqaruar, por ai ka nisur vuajtjen e dënimit atje dhe më pas është transferuar në Shqipëri. Kemi këtu kërkesën e deputetit të Edi Ramës, dërguar Gjykatës së Romës për të marrë falje për 3 vite, nga 7 vite e 6 muaj që ishte dënuar. Kjo dëshmon se deputeti i Edi Ramës ka pranuar vetë akuzën dhe dënimin për trafik prostitucioni në rrethana rënduese. Kjo tregon se deputeti i Edi Ramës ka pranuar vetë akuzën dhe dënimin për rrëmbim personi”.
Sipas tij, këto fakte te reja, vërtetojnë se Edi Rama ka veshur me imunitetin e deputetit, një person me të kaluar të rëndë kriminale. Noka shton se heshtja e Ramës është prova e gjallë e lidhjes së tij me krimin.
“Edi Rama i hapi rrugën hyrjes në Kuvend deputetit të tij me këtë të kaluar kriminale duke shmangur nga lista dy kandidate gra. Dhe Edi Rama hesht prej një jave, edhe pse emri që ai kërkoi u bë publik, edhe pse provat që ai kërkoi u bënë publike. Rama hesht, edhe pse deputeti i tij i dënuar nga drejtësia italiane, godet dhe kërcënon përfaqësuesit e opozitës”,tha Noka më tej.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





