Partia Demokratike ka bërë një kallëzim penal në Prokurori për kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, duke e akuzuar atë për tre vepra penale, si ajo e shpërdorimit të detyrës, shkeljen e barazisë në tendera publike apo mos marrjen e masave kundër paligjshmërisë. Akuza e demokratëve lidhet me koncesionin e parkingut tek Parku Rinia. Kryetarja e Departamentit Anti-korrupsion në PD, Lealba Pelinku dhe kreu i grupit të këshilltarëve të PD në Bashkinë e Tiranës, Lonard Olli shpjeguan se pse kryenin këtë kallëzim.

"Ka mungesë totale të transparencës dhe informacionit të të vepruarit në një bunkerizim të plotë të Bashkisë së Tiranës. Sikundër jeni edhe ju në dijeni pavarësisht kërkesave të vijueshme me shkrim z.Velaj në mënyrë permanente refuzon të përgjigjet dhe të përmbushë një detyrim minimal ligjor sikundër është ai për pushtetin vendor, për të njoftuar këshilltarët në çdo kohë për gjithçka," – tha Olli.

Ai tha se i kishin kërkuar kryebashkiakut Veliaj më 20 tetor që të bënte transparencë për projektin, duke shtuar se për t’iu shmangur transparencës prej dy muajsh shmang mbledhjet e Këshillit Bashkiak.