7nëntor 2015 – Partia Demokratike thekson se si pasojë e zjarrit të rënë në laboratorin e Ministrisë së Brendshme janë djegur provat për të paktën 15 trafikantë drogë. Kreu i Departamentit të Rendit dhe Sigurisë, Enkeleid Alibeaj, u shpreh se, akti ka qenë i qëllimshëm, për të favorizuar bandat. “Favorizimi i bandave të drogës është specialiteti i Saimir Tahirit, dhe pas shkrumbimit të këtyre dokumentave qëndron ministri i brendshëm. Njësoj siç qëndron Saimir Tahiri pas Habilajve dhe grupit më të rrezikshëm të drogës në Fier e në Vlorë, të cilët nuk i heton dot askush.

Një denoncim me prova e me fakte i oficerit Zagani. Siç qëndron Saimir Tahiri pas trafikantëve biznesmenë të drogës në Durrës, të ndaluar nga shërbimet partnere, para të cilëve shfajësohet duket u thënë se: “nuk e keni prej meje”, tha Alibeaj. Ai e quajti ironi therëse faktin që Tahiri është zhvendosur këto ditë me zyrë pikërisht pranë laboratorit kriminalistik në Gardën e Republikës. Në emër të PD Alibeaj kërkon hetim të shpejtë dhe serioz për këtë krim, ndërsa Ramës i kërkon largimin e menjëhershëm të ministrit të Brendshëm.
/portali DurresLajm/