Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka depozituar sot një kërkesë zyrtare në Kuvendin e Shqipërisë, ku kërkon shpalljen e pavlefshmërisë së seancës plenare të datës 18 shtator 2025, në të cilën u hodh në votim projektvendimi “Për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave”.

Sipas demokratëve, procedura e ndjekur në seancë ka qenë në shkelje të hapur të Kushtetutës dhe Rregullores së Kuvendit, duke përjashtuar opozitën nga debati parlamentar dhe duke shmangur detyrimin kushtetues për paraqitjen e programit nga Kryeministri.

Në dokumentin e firmosur nga kreu i grupit, Gazment Bardhi, theksohet se Kryeministri ndërpreu fjalën e tij për t’ia kaluar “ministres virtuale Diella”, duke e quajtur këtë akt një “veprim prej karagjozi” dhe një formë propagande që cenon seriozitetin e një akti kushtetues.

Më tej, opozita akuzon se nuk iu dha fjala për procedurë, në kundërshtim me nenin 49 të Rregullores, dhe se seanca u mbyll në mënyrë të njëanshme pa zhvilluar diskutimin e parashikuar nga neni 110.

Grupi parlamentar i PD thekson se:

-Kryeministri refuzoi të paraqiste programin politik në mënyrë të plotë;

-Deputetët u penguan të shtronin pyetje apo të merrnin pjesë në debat;

-U shkelën të drejtat e fjalës të garantuara për çdo deputet dhe kryetar grupi parlamentar;

-Procesi i votimit u zhvillua në kundërshtim me nenin 97 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit.

Në kërkesën drejtuar Kuvendit, Partia Demokratike kërkon anulimin e votimit të mbajtur më 18.09.2025 për programin politik dhe përbërjen e Këshillit të Ministrave; Rithirrjen e seancës plenare, me të njëjtin rend dite, por me ndjekjen e plotë të procedurave parlamentare dhe shmangien e çdo provokimi dhe propagande, duke respektuar rregullat dhe duke ruajtur seriozitetin institucional të Kuvendit.

PD paralajmëron se do të vijojë të mbrojë të drejtat e saj parlamentare dhe të kërkojë respektimin e Kushtetutës, ndërsa i bën thirrje Kryetarit të Kuvendit të mos bëhet palë me, siç e quan ajo, transformimin e sallës plenare në “teatër kukullash” nga Kryeministri.