Ditën e sotme opozita kërkoi që drejtuesi i ERE-s të japë sqarime për shtyrjen e fashës së re të energjisë elektrike.
Kësaj kërkese i është përgjigjur nga Parlamenti zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e cila thotë se as ERE dhe as qeveria nuk kanë shkelur asnjë parim dhe se shtyrja e fashës së re u bë për shkak të kushteve të mira hidrike.
Nuk munguan as sulmet ndaj opozitës. Belinda Balluku tha se opozita ndodhet në një batak, për të cilin qeveria nuk interesohet dhe se qytetarët gjithmonë kur ka zgjedhje votojnë për PS-në.
“ERE nuk ka shkelur asnjë parim. Boll i thatë publikut gjëra të pavërteta. Në rast se ne kemi kushte më të mira hidrike, ne nuk aplikojmë fashën. Kjo qeveri nuk ngatërrohet me të drejtën.. PS merr çdo herë votat maksimale nga populli shqiptar sa herë që ka votime. Me shumë keqardhje për ju, që duhet të flisni më me llogjikë. Ne nuk na intereson bataku juaja. Uroj ti zgjidhni sa më shpejt problemet tuaja”, tha Balluku.