Tiranë, 14 prill 2014 – Opozita depoziton kërkesën për zhvillimin e një seance dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrojtjes Mimi Kodheli, në Komisionin e Sigurisë. Lajmin e bëri publik gjatë një konference për mediat deputeti i PD-së Flamur Noka. Sipas tij, kërkesa për seancë dëgjimore është bërë duke u nisur nga të dhënat për përfshirjen e ushtrisë në trafikun e lëndëve narkotike. 

Ndërkohë duke iu referuar letrës së ministres Kodheli drejtuar kryeprokurorit Adriatik Lalla. Noka e cilësoi letrën një “arrogancë e paprecedentë, sjellje antikushtetuese, e komunikimit që qeveria, ministrja dhe Kryeministri shfaqin në raport me institucionet e pavarura dhe kushtetuese”. 

 

Deklarata e plotë e deputetit demokrat Flamur Noka  

Ashtu siç kemi paralajmëruar, nisur nga të dhënat që disponon opozita të cilat janë alarmante në lidhje me keqpërdorimin e Forcave të Armatosura në trafikun e drogës, opozita sapo depozitoi pranë Kuvendit një kërkesë për seancë dëgjimore urgjente me Ministren e Mbrotjes. Ne e gjykojmë jashtëzakonisht shumë të rëndësishëm këtë raportim që duhet të bëjë ministrja para deputetëve, para Komisionit të Sigurisë, sepse nëpërmjet fakteve që disponojmë ne, rezulton se Forcat e Armatosura janë keqpërdorur në trafikun e drogës. Është cënuar si asnjëherë tjetër imazhi i Forcave të Armatosura , është cënuar rëndë imazhi i vendit tonë si një vend anëtar i NATO-s ndaj dhe ne kërkojmë që kjo e vërtetë të zbardhet deri në fund. Gjithashtu dua t’ju bëj me dije edhe një fakt tjetër. Me shumë shqetësim lexuam letrën që Ministja i dërgon Kryeprokurorit. Në këtë letër nuk kish as më shumë dhe as më pak, por veçse arrogancë e paprecedentë, sjellje antikushtetuese, e komunikimit që qeveria, ministrja dhe Kryeministri shfaqin në raport me institucionet e pavarura dhe kushtetuese. Është një komunikim i paprecedentë, një komunikim urdhërues, ku ministrja urdhëron prokurorin të hapë hetime ndaj opozitës dhe deputetëve të saj, ku ministrja i kërkon prokurorit që të mbrojë Forcat e Armatosura nga sulmet e opozitës. Një marrëdhënie e tillë nuk është hasur kurrë në këto 23 vite demokraci. Kjo maxhorancë harron që është votuar për të qeverisur, dhe nuk është votuar që ata të bëhen kryeprokurorë, as kryetarë gjykatash, apo drejtues të isntitucioneve të tjera.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/