Partisë Demokratike, përmes zëdhënëses Ina Zhupa, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama dhe deputetin Koço Kokëdhima për vizitën dyditore që zhvilluan në jug të vendit. Në një deklaratë për mediat nga selia blu, Zhupa u shpreh se Kokëdhma synon që të marrë kalanë e Porto Palermos dhe kjo është arsyeja që objektet e trashëgimisë kulturore do të jepen me qira.

"Edi Rama gjatë një vizite dy ditore në Jug të vendit, ka tentuar tu shesë banorëve të bregut një mall të prishur, që askush nuk e blen më, – tha zëdhënësja Zhupa. – Qytetarët e jugut, të Fierit, të Vlorës, Sarandës, e më gjërë e dinë se propaganda e Ramës është një tallje e tipit, biri im, pasi e vërteta është se qeveria e tij, në jetën e tyre, në lagjen e tyre, ka vetëm një kuptim; Si të pasurohet më shumë Koço Kokëdhima. Pasi ka shtënë në dorë çdo vend pune, çdo tender, çdo licensë, çdo tokë e truall, çdo plazh, çdo burim fitimi, me dekret të posaçëm të Edi Ramës, Koço po bëhet gati të fusë në kthetra dhe kalanë e Porto Palermos, dhe kjo është arsyeja pse ministria e kulturës vendosi ti japë me qira këto objekte të trashëgimisë kulturore."

Zhupa ka theksuar se "më i urryeri nga të gjithë, të majtë e të djathtë e të paparti, mbetet Kokëdhima i Ramës, për babëzinë që ka shfaqur, për të pasur një dorë kudo, nga pastrueset e deri tek ministritë, gjithnjë duke ndjekur pasurimin e tij të pafre." "Qytetarët e dinë dhe e shohin atë çfarë po ndodh. Dhe shumë më shpejt nga sa e mendojnë ata, Rama dhe Kokëdhima do lëciten tek lapidari i Vunoit si heronjtë e korrupsionit e vjedhjes më të madhe që dikush i ka bërë vendit," – tha zëdhënësja e Partisë Demokratike.