Tiranë, 27 korrik 2014 – Partia Demokratike vazhdon të denoncojë heshtjen e kryeministrit Rama për incidentin mes deputetëve Strazimiri dhe Ndoka ditë më parë. Në një deklaratë për mediat ditën e sotme deputeti Luçiano Boçi theksoi se heshtja e kryeministrit Rama ëhstë e papranueshme.
“17 ditë më parë Edi Rama vuri në skenë aktin banditesk të dhunimit fizik dhe kërcënimit me jetë të deputetit të opozitës, vetëm e vetëm se denoncimi për lidhjet e tij kriminale prishi humorin e Kryeministrit. Mbarë opinioni publik u shqetësua për degjenerimin e parlamentarizmit nga Edi Rama, por ai vetëm hesht. Opinioni publik dhe qytetarët u tronditën pas publikimeve që bëri Partia Demokratike, kur mësuan për të kaluarën kriminale të instrumentave të dhunës që përdor Edi Rama në parlament. Skandal dhe e papranueshme për gjithë shqiptarët që një deputet i dënuar për shfrytëzim prostitucioni dhe rrëmbim personi, siç është Arben Ndoka, të jetë i preferuari i Kryeministrit dhe të vihet në rreshtin e parë në sallën e matjeve të sukseseve imagjinare në 300 ditët e rendit. Por edhe më skandaloze dhe e papranueshme është heshtja e Edi Ramës pasi të vërtetat e implikimit të tij me botën e krimit dolën në dritën e diellit”– u shpreh Boçi.
Më tej ai theksoi: “Edi Rama mund ti rrahë shpatullat deputetëve të tij të inkriminuar për aktet banditeske që ata bëjnë, por ai e ka humbur tashmë betejën morale, dhe është e do të jetë përgjegjës për secilën dhunë dhe kërcënim jete ndaj përfaqësuesve të opozitës. Partia Demokratike është më e angazhuar se asnjëherë më parë, bashkë me qytetarët e vendit, do të vazhdojë çdo ditë misionin e ruajtjes së demokracisë dhe endrrës europiane të shqiptarëve, duke denoncuar e bërë transparencë për aleancën kriminale të Edi Ramës”.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





