1 shtator 2015 – Drejtoresha farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë rezulton mbetëse në dy provime të shtetit e sipas ligjit ajo nuk mund të drejtojë një farmaci, e jo më të jetë drejtoreshë.
Ky fakt është denoncuar sot nga Partia Demokratike në një konferencë për shtyp të kryetares së Komisionit të Shëndetësisë, Albana Vokshi.
“Edi Rama po ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh me ilaçet. Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo që duhet të kontrollojë cilësinë e ilaçeve, ka ngelur në provimin e shtetit. Madje ka ngelur dy herë me radhë. Pra, ajo nuk mund të ushtrojë dot profesionin e farmacistes, por ama është bërë kryefarmacistja e vendit, falë lidhjeve politike e financiare. Ky është një informalitet skandaloz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, deklaroi Vokshi.
Megjithatë, sipas demokratëve, jo vetëm sektori farmaceutik, por e gjithë shëndetësia është kthyer në një vend ku zyrtarë të akuzuar për falsifikim dokumentesh po promovohen.
/portali DurresLajm/