DURRËS, 16 tetor 2014 –  Partia më e madhe opozitare në Shqipëri është ngazëllyer së tepërmi që më 22 tetor 2014 Kryeministri shqiptar Edi Rama do të shkojë në Beograd si “qen i rrahur”, duke i rrasur nga prapa batutat “Presidenti serb: shqiptarët, anormalë, Vuçiç: janë bandë”, fill pas komentit të mbesës së ish-Kryeministrit Sali Berisha që shfajëson dhunën serbe ndaj përfaqësueses shqiptare.

Këtë qëndrim të pjesëtarëve të familjeve Berisha dhe Malltezi, anëtarë të këshillit kombëtar të PD-së, e ka përshëndetur shtypi nacionalist antishqiptar serb (Blic etj.). 

Faqja e parë e gazetës  Rilindja Demokratike e datës 16 tetor 2014, nënvizon faktin se “në të njëjtën kohë që Presidenti serb, Kryeministri i atij vendi dhe ministri i jashtëm shpërthejnë në një histeri antishqiptare të ngjashme me atë të “kasapit të Ballkanit” Milosheviç, konfirmojnë edhe vizitën e 22 tetorit të Ramës në Beograd”.

Ndërkohë zyrtarë të BE-së i kanë kërkuar kreut të Ekzekutivit të Tiranës të mos anulojë vizitën e mbështetur nga Brukseli.

Në Shqipëri janë të ndarat opinionet, disa janë pro dhe disa janë kundër turit serb të shefit të qeverisë.

Ministri i i Punëve të Jashtme z. Ditmir Bushati thotë se janë të gjitha opsionet (pra, të realizohet ose të anulohet takimi diplomatik), kurse vetë z. Rama deklaron në mënyrë evazive se do të mbajë qëndrim evropian.

Sipas deputetit të majtë z. Ben Blushi Shqipëria e koordinon politikën e jashtme me NATO-n dhe BE-në.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/