Deputeti i PD-së, Gazmend Bardhi tha se PD do të votojë kundër paketës fiskale dhe buxhetit 2022, pasi për selinë blu ky buxhet nuk ak rritje reale të pagave dhe pensioneve.

Bardhi u shpreh se ky buxhet nuk parashikon mbështetje për qytetarët por për njerëzit e Ramës.

“As buxheti dhe as paketa fiskale nuk punojnë për qytetarët, por për një grusht njerëzish pranë kryeministrit, qeveria do të rrit taksat dhe çmime për shqiptarët që nuk prodhojnë as vende pune dhe as zhvillim. Nga njëra anë është parashikuar të marrë 1 miliardë dollarë borxh dhe nga ana tjetër nuk ka rritje reale rrogash dhe pensionesh, nuk ka vende të reja pune dhe as investime domethënëse. Po merr borxh për të paguar koncesionet.

Shtatë koncesionet nga më të çuditshmet do u kushtojnë shqiptarëve 2 miliardë dollarë. Paketa fiskale thellon hendekun mes pakicës së klientëve të qeverisë dhe shumicës dërrmuese të shqiptarëve. Është një paketë kundër shtresës së mesme. PD do votojë kundër marrjes peng të vendit për interesin e pak njerëzve që janë pasuar në mënyrë të paligjshme duke zhvatur shqiptarët! PD voton kundër buxhetit dhe paketës fiskale.”,- tha Bardhi.