Ish-kryeministri Sali Berisha, në një intervistë ekskluzive për emisionin "Debat", në Radio Televizionin e Kosovës, ka folur edhe mbi politikën në vend, përfshirë edhe përsëritjen e një koalicioni me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Berisha ka pranuar se koalicioni me LSI mund të ndodhë sërish, por vetëm pas zgjedhjeve dhe në varësi të rezultatit të zgjedhjeve.
"Në spektrin politik, Meta është po kaq, ndoshta edhe më majtas se Rama. Natyrisht, koalicioni i tij me një parti të qendrës së djathtë është një gjë jonormale. Por, ndodhi, sepse midis asaj që, një koalicion me këtë parti apo vendi pa opozitë dhe një koalicion me socialistët, interesi i vendit ishte që socialistët të kenë një opozitë të fortë dhe të ketë një qeveri funksionale. Nuk besoj se PD do të shkojë dhe nuk shkon, jam i sigurt, në zgjedhje në koalicion me këto forca politike, por pas zgjedhjeve PD edhe mund të jetë e detyruar nga rezultati," – ka thënë Berisha.





