Qindra qytetarë protestuan sot pranë Parkut të Liqenit në Tiranë kundër prerjes së pemëve, betonizimit dhe ndërtimit pa ligj brenda tij. Kreu i Departamentit të Mjedisit në Partine Demokratike, Jamarbër Malltezi, tha se rezistenca ndaj këtyre punimeve antiligjore do të vijojë derisa të pyeten qytetarët për këtë krim mjedisor që po i bëhet Tiranës.

"Janë në dhunim të ligjit sepse ligji kërkon leje mjedisore para se të fillojnë punimet. Po bëhet një punë që normalisht nuk duhej bërë. Këtu me ne janë shumë pedagogë të universitetit dhe studentëve u themi se para se të marrësh një leje ndërtimi duhet të kesh një plan, dhe këtu nuk ke plan. Studentëve u themi se duhet të kesh një leje mjedisi dhe këtu nuk ke leje mjedisi. Studentëve u themi se para se të presësh një pemë duhet të kesh një vlerësim të ndikimit të mjedisit që këtu nuk e ke, duhet të jetë një proces vendimarrës me publikun, por këtu nuk ke asnjë pjesëmarrje të publikut. Jemi në dhunim të paktën kater ligjeve. Për hir te vjedhjes së 700 milionë lekëve po vazhdohet me këto punime. As tenderi nuk duhej të zhvillohej para se të miratohej plani, para se të miratohej leja mjedisore dhe ajo e ndërtimit. Ndaj dhe policët këtu janë në shkelje të ligjit dhe jo në mbrotje të tij. Kjo çështje është në KQZ për ta shtyrtuar për referendum. Nesër KQZ do marrë vendim për tre referendumet vendore që kemi kërkuar dhe shpresojmë të na jepet e drejta të mbledhim firma," – tha Malltezi.