Partia Demokratike ka dënuar vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për referendum në Bashkinë e Tiranë. Kreu i Departamentit të Mjedisit i PD, Jamarbër Malltezi, denoncoi punimet "brutale", sipas tij, me beton dhe makineri të rënda brenda Parkut të Liqenit.

"Vendimi i sotshëm i KQZ i ka rrënjët tek betonierët e klientëve të dyshes Rama-Meta që vijnë në këtë park për të hedhur beton përditë. Për përfaqësuesit e qeverisë në KQZ, mushkëritë tona nuk janë çështje e rëndësishme që ia vlejnë të bëhet referendum. Për ata të qeverisë në KQZ më e rëndësishme është tesera e partisë sesa Tirana dhe mushkëritë e fëmijëve tanë," – tha Malltezi.

Pak ditë më parë, Partia Demokratike dorëzoi në KQZ kërkesën për mbajtjen e një referendum lokal, ku qytetarët e Tiranës të shpreheshin për punimet e Bashkisë në Parkun e Liqenit dhe në Parkun Rinia.

"Sovraniteti i qytetarëve është dhënë për fat të keq me konçension, i është dhënë me koncesion klientëve të Edi Ramës dhe të Ilir Metës. Për fat të keq vendimi i sotëm i KQZ ishte në përputhje të plotë me betonierët e klientëve të Edi Ramës dhe të Ilir Metës," – shtoi Malltezi.