Banorët e Thanës, në Lushnje, kanë protestuar dhe kanë kundërshtuar propagandën që bëri dy ditë më parë në fshatin e tyre kryeministri Edi Rama. Sipas nje njoftimi te Partise Demokratike, banoret thonë se investimi 2 milionë eurosh në një rezervuar aty është shpenzim i madh dhe i padobishëm. Sipas tyre, nëse këto para do të ishin investuar realisht sipas nevojave që ato kanë, jeta e tyre do të ishte përmirësuar. "Erdhi kryeministri këtu, por s'na la njeri të flisnim. Kjo nuk është një vepër që na përshtatet ne. Eshtë vjedhur para pa masë me këtë. Ajo tabela për punimet gënjen. Janë hedhur më pak para. Ne po vuajmë dhe kërkojmë mbështetjen e Partisë Demokratike… ky ujë është i kripur dhe smund të përdoret për vaditje," – thotë një fermer.

Kryetari i Partisë Demokratike të Lushnjes, Myslym Murrizi, ishte pranë banorëve. "Jemi sot këtu si Parti Demokratike në mbështetje të një shqetësimi të drejtë të banorëve të zonës, jo vetëm të fshatit Thanë. Kryeministri i vendit u tall para dy ditësh pasi erdhi dhe iku si një hajdut. Nuk i kontaktoi qytetarët dhe nuk i pyeti për këtë investim prej 2 milionë eurosh, nëse u hynte në punë fermerëve dhe 30 mijë hektarëve tokë apo jo. Ky investim është një buzëkuq me tenderat e kësaj qeverie. Ky investim prej 2 milionë eurosh nuk e ka rritur asnjë centimetër performacën e këtij liqeni. Eshtë projektuar për të mbajtur 65 milionë metra kub ujë dhe diga nuk është ngritur asnjë centimeter." – tha Murrizi. Ai shtoi se me më pak para, do të ishte bërë punë më e mirë.