Tiranë, 29 gusht 2014 – Partia Demokratike në një qëndrim zyrtar është shprehur se pikat kyçe të administratës janë bërë streha e sigurtë e personave me të shkuar kriminale.
PD thotë në tej se Edi Rama po e zhvillon çdo ditë politikën e inkriminimit të zyrave të shtetit, duke shtuar se lista e premtimeve të pambajtura nga Kryeministri është e gjatë, por merita, shanset e barabarta, kodi etik që do ta udhëhiqte qeverisjen e tij, janë një nga dështimet monumentale të Edi Ramës.
“Kjo sigurisht ka qënë e gjitha propagandë, dhe asnjëherë një plan konkret i tij. Mirëpo rastet e panumërta të denoncuara nga Partia Demokratike, për persona më precedent kriminalë të emëruar në poste të rëndësishme, e kanë bërë retorikën e kryeministrit të pathemeltë, dhe një fjalë boshe që ka rënë ditën e parë të rilindjes. Me Edi Ramën, korrieri i parave të pista i ndaluar në Rinas, bëhet kontrollor në Rinas. Me Edi Ramën, i kapuri me 200 kg herorinë bëhet shef tek Lojërat e Fatit. Me Edi Ramën, i akuzuari për rrëmbim fëmijësh bëhet kryetar i Këshillit të Qarkut, i dënuari për prostitucion bëhet deputet”, thuhet në qëndrimin e PD, ku nënvizohet se me Edi Ramën i ka ndritur ylli dhjetra trafikantëve që janë bërë drejtorë e shefa shërbimesh në institucione të rëndësishme të vendit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





