Deklarata e një dite më parë e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha se ndërkombëtarët kanë ndërhyrë për të rikthyer komisionin bipartizan të Reformës Zgjedhore ka sjellë sot reagimin e këtyre të fundit.
Ambasada Amerikane në një deklaratë për Top Channel ka mohuar të ketë bërë takime ndërmjetësuese, teksa ka shtuar i takon rregullisht bashkëkryetarët dhe anëtarët e komisioneve parlamentare.
“Si pjesë e angazhimit tonë normal diplomatik me anëtarë të parlamentit, Ambasada e SHBA takohet rregullisht me kryetarë, bashkëkryetarë dhe anëtarë të komisioneve të ndryshme parlamentare, përfshi Komisionin për Reformën Zgjedhore. Takimet nuk janë pjesë e ndonjë ndërmjetësimi. Interesi ynë mbetet për qeverisje të efektshme dhe përfaqësuese për të zbatuar rekomandimet e ODIHR-it dhe mirëpresim idetë e të gjitha partive të përgjegjshme për këtë qëllim”- thuhet në reagimin e ambasadës amerikane.
Në të njëjtën linjë ishte edhe delegacioni i BE-së në Tiranë, i cili theksoi shprehimisht se unioni “nuk është e përfshirë në asnjë ndërmjetësim”, dhe se “qëndrimi i tyre mbetet i njëjtë, duke theksuar nevojën për të ndjekur rekomandimet e OSBE/ODIHR”.
Pas reagimeve të SHBA-së dhe BE-së, kryetari i PD-së, Lulzim Basha ka bërë një deklaratë në platformën “X” ku i falenderon ato për mbështetjen dhe vë theksin te propozimet e opozitës për listat e hapura, barazinë e votës dhe votën e diasporës.
“Në emër të Partisë Demokratike të Shqipërisë përsëris mirënjohjen time për mbështetjen që partnerët strategjikë të Shqipërisë, SHBA, BE dhe MB si edhe OSBE-ODIHR i japin procesit të reformës zgjedhore në Shqipëri. Falë edhe kësaj mbështetje, pas një periudhe të gjatë heshtjeje, Komisioni për Reformën Zgjedhore pritet të nisë punën së shpejti. Listat e hapura, barazia e votës, vota e diasporës dhe votimi dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike të mishëruara në paketën e propozimeve ligjore të depozituara në Kuvendin e Shqipërisë. Koha për t’ju dhënë shqiptarëve një Kod Zgjedhor pa hile dhe pengesa për lirinë dhe barazinë e votës!”- shkruan Basha.