Deputetë të Partisë Demokratike, anëtarë të Këshillit Bashkiak dhe Forumi Rinor i PD kanë shpërndarë pako me ndihma ushqimore për 15 familjet në Tiranë, barakat e të cilave u përmbytën nga shirat e fundit te Bregu i Lumit. Gjithashtu ata i bënë thirrje Bashkisë dhe Qeverisë të kthejnë sytë nga këto familje.
“Kemi përgatitur disa ndihma solidare modeste për t’iu gjendur në këto ditë të vështira, pasi pohuan edhe banorët pushteti është inekzistent në tërë kapilarët e tij, duke filluar që nga qeverisja qendrore, ashtu edhe nga Bashkia e Tiranës. Për fat të keq kryetari i bashkisë i sapoardhur nga Sri Lanka bëri vizitat e zakonshme në bulevardet apo ne elementët e më së miri nga zoti Basha kur ishte në detyrë dhe, nuk kërkon aspak të shohë dhe të prekë realitete konkretë”, tha Leonard Olli, anëtarë i Partisë Demokratike në Këshillin Bashkiak të Tiranës.
Ai shtoi se është e nevojshme një ndërhyrje emergjente për t’i ardhur në ndihmë këtyre banorëve. “Kërkohet vetëm një makineri ekskavator për të shpëtuar pronën, shtëpinë pasurinë dhe jetën në vetvete të të gjithë banorëve. Por indiferenca vrastare mungesa totale dhe përgjegjshmëria e zyrtarëve qoftë në nivel lokal, ashtu edhe qendror është në parametra të atillë sa mund të shkaktojë tragjedi. Ne i bëjmë apel instancave shtetërore dhe të bashkisë Tiranë të marrin masa të menjëhershme dhe urgjent të vijnë këtu me mjete e tyre pasi nuk bëhet fjalë për të prodhuar politike, po bëhet fjalë për të shpëtuar jetë njerëzish dhe mbi të gjitha pasurinë e vënë gjatë një jetë”, shtoi Leonard Olli.