Tiranë, 10 qershor 2014 – Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Laura Vorpsi nëpërmjet një deklarate për media ka denoncuar një tjetër rast, ku persona të dënuar mbajnë poste në administratën shtetërore. Sipas selisë blu, kryeministri ia ka besuar avokaturën e shtetit në Durrës një personi që ishte në proces gjyqësor për korrupsion kur u punësua dhe vazhdon të jetë i punësuar, megjithëse ëhstë dënuar me 6 muaj burg.
“Me Edi Ramën, mund të jesh në proces gjyqësor i akuzuar për korrupsion, po mund të jesh edhe i dënuar për korrupsion, dhe sërish të ecën mbarë dhe kap një zyrë të rëndësishme të shtetit. Rreth një muaj më parë, Gjykata e Kavajës dha vendimin për Skerdilajd Dalipin, duke e dënuar me 6 muaj burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim. Edhe gjatë procesit, por edhe pas dhënies së vendimit, i akuzuari për korrupsion është caktuar për të mbrojtur interesat e shtetit, në zyrën e Avokatit të Shtetit për Durrësin”, – tha Vorpsi.
Reagimi
Avokatura e Shtetit ka hedhur poshtë akuzat e Partisë Demokratike për Skerdilajd Dalipin si një person i akuzuar për korrupsion. Nën një njoftim të Avokaturës së Shtetit thuhet se Dalipi është i padënuar.
“Institucioni i Avokaturës së Shtetit sqaron opinionin publik se bazuar në dëshminë e penalitetit, në kohën e emërimit në detyrë, por edhe sot, z. Skerdilajd Dalipi është i padënuar. Edhe pse në prill të këtij viti është dhënë një vendim nga gjykata e shkallës së parë dhe më pas vendimi është pezulluar, z Skerdilajd Dalipi ka dhënë dorëheqjen në maj të këtij viti. Dorëheqje e cila është pranuar nga institucioni. Për sqarim të opinionit publik bëjmë me dije se çështja është në shqyrtim në Gjykatën e Apelit dhe deri në dhënien e një vendimi nga kjo gjykatë z. Dalipi konsiderohet i pafajshëm. Marrëdhënia e Z. Skerdilajd Dalipi me institucionin e Avokaturës së Shtetit është ndërprerë me miratimin e dorëheqjes.”- sqarohet nga Avokatura e Shtetit.
Deklarata e plotë e zëdhënëses Laura Vorpsi
Me Edi Ramën, mund të jesh në proces gjyqësor i akuzuar për korrupsion, po mund të jesh edhe i dënuar për korrupsion, dhe sërish të ecën mbarë dhe kap një zyrë të rëndësishme të shtetit.
Rreth një muaj më parë, Gjykata e Kavajës dha vendimin për Skerdilajd Dalipin, duke e dënuar me 6 muaj burg për shpërdorim detyre në bashkëpunim.
Edhe gjatë procesit, por edhe pas dhënies së vendimit, i akuzuari për korrupsion është caktuar për të mbrojtur interesat e shtetit, në zyrën e Avokatit të Shtetit për Durrësin.
Ky është modeli i Edi Ramës për administratën publike.
Ai ia besoi avokaturën e shtetit për Durrësin, një personi që ishte nën gjykim për korrupsion, dhe vazhdon tia besojë këtë zyrë të rëndësishme të shtetit, edhe sot pas vendimit të gjykatës, që e ka dënuar me 6 muaj burgim.
Kjo është etika e Edi Ramës.
Kjo është marrëdhënia e tij me korrupsionin.
Kjo është rilindja e shtetit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





