Tiranë, 26 shkurt 2014 – Deputeti i PD-së, Arben Ristani, duke përsëritur kërkesën drejtuar ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri për të treguar se çfarë e lidh me Ardian Serezin, të arrestuar nga policia me 1 ton drogë, ka publikuar sot fakte të reja që sipas tij dëshmojnë për lidhjen e Ministrit të Brendshëm me persona të trafikut të drogës. Krahas kësaj, Ristani ka publikuar edhe një foto, sipas tij, kompromentuese të kryeministrit Rama, në krah të të cilit shfaqet shtetasi Genti Alizoti, krahu i djathtë i Tahirit, i dënuar për trafik droge.

“E gjithë Tirana e di, se Gent Alizoti është një nga çunat e Ministrit të Brendshëm, gjithnjë në krah të tij, sidomos në fushatë zgjedhore dhe kujdeset për punët e Ministrit. Eshtë ky që shihni në këtë foton, në krahun e majtë të Kryeministrit. Alizoti është i dënuar për trafik droge. Ai është arrestuar me 28 qershor të vitit 2006, teksa transportonte 50 kg drogë. 3 vite më pas është liruar me kusht”- tha Ristani.

Sipas tij, Tahiri e ka për detyrë të bëjë transparencë. Ristani theksoi më tej se zbulimi i lidhjeve kriminale të Ministrit të Brendshëm është një këmbanë alarmi që lidhet drejtpërdrejt me shkaqet dhe arsyet e riaktivizimit masiv të rrugëve rajonale të trafikut të drogës.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/